Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ibishi: Sot në veri nuk pati protestues, por provokues

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, duke komentuar ngjarjet e sotme në veri të Kosovës, ka thënë se ka qenë e pritshme që nuk do të ketë protesta të qeta sot.

Ibishi ka thënë se qytetarët serbë vazhdimisht gjatë gjithë ditës kanë provokuar trupat e KFOR-it.

“Përgatitjet nuk kanë qenë për një protestë të qetë paraprakisht, e kanë thënë që fëmijët nuk guxojnë të jenë në protesta, e as gratë shtatzënë. Nëse e shohim protestën gjatë gjithë kohës deri sa KFOR-i qëndron me mburoja e nuk i provokon, gjithë kohën ka gjuajtje të mjeteve të forta ndaj KFOR-it”- ka thënë ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, nëse do të donin protestë paqësore, protestuesit nuk do të vinin të maskuar e të pajisur më gurë e mjete të forta.

“Ata nuk i llogaris si protestues por janë provokues… Protestuesit kanë pasur mjete të forta, mjete piroteknike, koktej molotovi”- tha ai.

Raportimet e KALLXO.com rreth ngjarjeve në veri mund t’i ndiqni në këtë link.