Foto: Kallxo.com

I akuzuari tregon si u lirua nga monitorimi fabrika e privatizuar

Në gjykimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës Naser Osmani dhe shtatë të akuzuarve të tjerëve, gjykim ky i cili lidhet me privatizimin e Fabrikës “FAN” në Podujevë, ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Bahri Shabani.

Ky gjykim bën pjesë në listën e rasteve që janë shënjestruar nga Komisioni Europian si kusht që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave.

Bahri Shabani gjatë marrjes në pyetje deklaroi se në fund të vitit 2008 nga Kuvendi i Kosovës ishte përzgjedhur anëtar i Bordit të AKP-së.

Ai tha se agjencioni e ka pasur statutin e vetë, politikat e veta operacionale dhe ligjin mbi AKP-në.

“Bordi e ka pasur statutin e vetë, sekretarinë e vetë që të dy agjencionet kanë pasur anëtar ndërkombëtar në bord të cilët kryesisht e kanë përcjell ligjshmërinë juridike të punës së komisionit dhe kompetencat e tyre kanë qenë gjithmonë me të drejtën e votës për mbrojtjen dhe anulimin e një vendimi nëse kanë menduar se është në kundërshtim me ligjin e AKP-së” , deklaroi Shabani.

I akuzuari tha se gjatë votimit për marrjen e një vendimi, vota e kryetarit të bordit ka qenë e barabartë me të anëtareve të tjerë, por në rastet kur votat e anëtareve kanë qenë të barabarta atëherë tha se vota e kryetarit të bordit ka përbërë votë të dyfishtë. Miratimin apo jo të ndonjë vendim tha se për asnjë çështje nuk ka mundur ta marrë AKP-ja pa qenë votues për atë vendim edhe një nga anëtaret ndërkombëtar.

Ai tha se përgjegjëse për të përcjellë ligjshmërinë e punës së bordit ka qenë sekretaria e bordit. Prandaj sipas të akuzuarit nëse ka pasur ndonjë vendim i cili ka qenë në kundërshtim me ligjin e AKP-së, sekretari ka ndërhyrë te bordi dhe u ka tërhequr vërejtjen se ky vendim është në kundërshtim me ligjin e AKP-së dhe i njëjti nuk mund të aprovohet.

“Në pikëpamje institucionale cili ka qenë ai autoritet që ka pasur kompetencë dhe mundësi të apelimit, anulimit apo ndryshimit të vendimeve të bordit të AKP-së”, e pyeti të akuzuarin, mbrojtësi i tij Basri Jupolli.

Në lidhje me këtë i akuzuari tha se të drejtën e apelimit e kanë pasur të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

“Të drejtën e apelimit e kanë pasur të gjitha palët e përfshira në proces nëse kanë qenë të pakënaqura, në dhomën e veçantë të gjykatës supreme e cila ka qenë mbikëqyrëse e punës së agjencisë ndërsa brenda bordit të drejtën e apelimit e kanë pasur tre anëtaret ndërkombëtar dhe ka qenë përgjegjësi e tyre lidhur me apelimin e çdo vendimi”, deklaroi i akuzuari.

Këtë të drejtë të apelimit ai tha se e kanë pasur edhe vendorët edhe ndërkombëtaret me të vetmin dallim se në rastet kur është votuar nga tre anëtar ndërkombëtar ata kanë mundur ta dërgojnë direk në dhomë të veçantë.

Ai deklaroi se në rastin e fabrikës “FAN” nuk ka ndodhur ndonjë apelim nga ndërkombëtaret e as nga vendoret nga menaxhmenti apo nga punëtoret e ndërmarrjes.

http://kallxo.com/deputeti-ik-nga-seanca-gjyqesore-per-privatizimin-e-fabrikes-shkon-ne-kuvend/

I akuzuari u pyet edhe në lidhje me mbledhjen e bordit të datës 20 janar 2012 në të cilën ishte vendosur lidhur me kërkesën e  N.SH. “FAN” për lirim nga monitorimi.

“Në këtë mbledhje nuk më kujtohet sa kemi diskutuar edhe për ndërmarrjet e tjera por për ndërmarrjen “FAN” është shqyrtuar kërkesa e blerësit për të diskutuar në lidhje me këtë çështje dhe bordi ka vendosur ashtu siç është vendimi me 90% të vendimit nga anëtaret e bordit”, tha Bahri Shabani.

Ai deklaroi se sa i përket çështjes së investimeve kapitale të gjithat votat kanë qenë pro ndërsa sa i përket çështjes së punësimit tha se ka qenë vetëm një votë kundër.

“Sa i përket çështjeve të investimeve kapitale votat kanë qenë 100% pro asnjë kundër të të gjithë anëtareve të bordi, ndërsa për çështje të punësimit ka qenë vetëm një votë kundër nga përfaqësuesi i sindikatës”, deklaroi i akuzuari.

“A mund të konsiderohet se vendimet e bordit nga mbledhja e datës 20 janar 2012 nuk janë apeluar nga askush”, e pyeti të akuzuarin avokati.

Për këtë ai pohoi se nuk janë apeluar nga askush pasi që sipas të tij bordi për punën e tyre për çdo tre muaj i ka raportuar me shkrim kuvendit dhe se vendimi në fjalë është aprovuar nga kuvendi.

http://kallxo.com/deshmitari-terhiqet-nga-deklarata-ne-gjykimin-e-deputetit/

Në rast se një raport nuk aprovohet nga kuvendi, ai tha se bie vendimi i bordit dhe se në mënyrë automatike shkarkohet bordi.

Prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu të akuzuarin e pyeti se kush ka qenë autoriteti përgjegjës  që ka vendosur në lidhje me ndërprerjen e monitorimit të ndërmarrjes dhe se kush kishte qenë i obliguar që të raportonte në lidhje me mbarëvajtjen e ndërmarrjes “FAN”.

“Në rastin FAN në bazë të kujt keni vendosur kur keni votuar për ndërprerjen e monitorimit, kush ka qenë autoriteti, organi ose pozita brenda AKP-së që ka qenë i obliguar të raportoj  në lidhje me mbarëvajtjen e ndërmarrjes “FAN”, e pyeti prokurorja për çka i akuzuari u përgjigj se ka qenë menaxhmenti dhe sekretaria e bordit.

Prokurorja të akuzuarin e pyeti edhe për kohën kur ai e kishte kuptuar për hipotekimin e ndërmarrjes.

http://kallxo.com/ne-gjykimin-e-deputetit-naser-osmani-deshmoi-nje-ekspert-maqedonas/

“Nuk më kujtohet në Polici apo Prokurori, por në bordin e AKP-së nuk e mbaj në mend që është diskutuar ndonjëherë kjo çështje”, tha ai.

“Si anëtar i bordit a keni njohuri se detyrë e kujt ka qenë që të konstatoj këtë hipotekim që ka ndodhur vite më parë, detyrë e kujt ka qenë evidentimi se kjo ndërmarrje është e hipotekuar”, e pyeti më tej prokuroja.
Për çka i akuzuari u shpreh se ai nuk e di pasi që në periudhën që është bërë hipotekimi i ndërmarrjes tha se ai nuk ka qenë pjesë e agjencisë.

Ndonëse ishte paraparë që seancat e radhës të mbahen me datat 7 dhe 8 qershor, kryetari i trupit gjykues njoftoi palët se trupi gjykues ka vendosur që të i anuloj këto seanca në atë mënyrë që seanca e radhës u caktua për datën 13 korrik.

http://kallxo.com/deshmitari-ne-gjykimin-per-fabriken-e-podujeves-faturat-nuk-ishin-te-fryra/

Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është rast i shenjëstruar për liberalizimin e vizave.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.