Foto: Ilustrim

I akuzuari: Gabova që Shkova në Siri

Pasi Bajramit iu lexua aktakuza nga prokurori special Ali Rexha, ai pranoi fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.

Florentin Bajrami shfaqi pendesë në gjykatë.

“E di për çka akuzohem dhe pranimin e fajësisë e kam bërë vullnetarisht dhe di të ju them që kur kam arritur në atë vend, e kam pa që kam gabuar dhe menjëherë kam fillu tentativat që të kthehem në familjen time dhe vendin tim, por ka qenë e pamundur,” tha Bajrami.

I akuzuari tha se është përpjekur vazhdimisht të kthehet në Kosovë pas shkuarjes në Siri, por është penguar.

“Kam  qëndruar afër 1 vit në Siri dhe sa herë kam dashur të vi për Kosovë më kanë futur në burg, duke ma bërë të pamundur ardhjen,” tha ai.

Selami Rexhepi, avokati i Florentin Bajramit i arsyetoi veprimet e klientit të tij me moshën e re të tij në kohën kur mendohet se kreu veprën penale.

“Sot para jush keni të akuzuar një djalë shumë të ri, i cili sot ka mbushur 19 vjet e 20 ditë dhe që në kohën që ka kryer këtë vepër penale ka qenë vetëm 17 vjet e 10 muaj. Si mbrojtës i tij i pranoj deponimet e tij lidhur me deklarimin e pranimit të fajësisë dhe njëkohësisht i kujtoj kryetares së trupit gjykues se ky pranim është arritur falë bashkëpunimit dhe konsultimeve paraprake me të mbrojturin tim, i cili është penduar thellë që ka shkuar në Siri,” tha avokati Rexhepi.

Rexhepi të mbrojturin e tij e konsideroi të manipuluar.

“Ju mund të dini se nga e kaluara e tij, sjelljet dhe sukseset e tij gjatë shkollimit, jo vetëm që na bënë të mendojmë, por kemi edhe obligim ligjor e prindor që thellësisht të mendojmë se ky i ri në asnjë moment nuk ka shkuar me vullnetin e tij dhe që nuk ka pasur njohuri paraprake se ku ishte nisur, e çka mund të konkludojmë se ka qenë i manipuluar nga të tjerët,” u shpreh mbrojtësi i Florentin Bajramit.

Për shkak të këtyre arsyeve që përmendi, avokati Selami Rexhepi kërkoi dënim minimal për të mbrojturin tij.

“Në këto rrethana i propozojmë gjykatës që me rastin e matjes së dënimit gjykata të ketë parasysh të gjitha rrethanat, e veçanërisht ato lehtësuese të cilat do të ndikonin në shqiptimin e një dënimi sa më të lehtë dhe propozoj që ndaj të mbrojturit tim të ndalohet masa e paraburgimit dhe të caktohet masa e arrestit shtëpiak,” tha Rexhepi.

Por këtë propozim e kundërshtoi prokurori special Ali Rexha.

”Lidhur me masën e paraburgimit, propozoj që tani për tani të mbetet në paraburgim deri sa të marrë aktgjykimi formën e prerë,” tha Ali Rexha në kundërpropozim të avokatit Rexhepi.

Sipas aktakuzës nga data 17 shkurt 2015 e gjer në fund të muajit maj 2015 kur është kthyer në Kosovë, Florentin Rexhepi i është bashkuar organizatës terroriste ISIS. Gjatë kësaj kohe në shtetin e Sirisë iu ka nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik për përdorimin e armëve të ndryshme. Kjo organizatë sipas Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Sipas prokurorisë udhëtimin nga Kosova gjer në Siri e ka organizuar  Kastriot Halimi ndaj të cilit është duke u zhvilluar procedurë e posaçme. Në këtë grup kanë udhëtuar edhe Valon Alija, Hashim Alija, Kujtim Xheladini dhe Florent Seferi.

Kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu njoftoi se aktgjykimi do të shpallet më 10 mars. [interaction id=”56de982936e5105a3a79d9ec”]