Dënohet profesori, ngacmoi seksualisht të renë nga Gjilani, Medinë Dauti

22 vjeçarja nga Gjilani, Medinë Dauti ka njoftuar sot se Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur në lidhje me rastin e saj të paraqitur disa herë në organet e rendit për ngacmim seksual nga një profesor.

Dauti me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Gjykata ka vendosur që ta dënoj me kusht 3 vite Kastriot Kurtin.

Gjykata  në Gjilan ka konfirmuar për KALLXO.com se vendimi për Kurtin është gjykon denim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

“Rrugëtimi për të arritur deri këtu ka qenë tepër sfidues, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Ndjenjat e pasigurisë, frika e vazhdueshme, cenimi i integritetit tim fizik e seksual, janë vetëm disa nga tmerret e përjetuara”- ka shkruar Dauti në Facebook.

Tutje ajo shtoi edhe se ky vendim është hap përpara gjykimeve të drejta.

“Sot, nuk kam fituar vetëm unë, sot është bërë një hap përpara drejt gjykimeve të drejta dhe njohjes së përvojave të personave që përjetojnë ngacmime seksuale. Shpresoj se ky rast do t’i shërbejë institucioneve të drejtësisë si udhë rrëfim për trajtimin e rasteve të tilla në të ardhmen”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kastriot Kurtin në lidhje me këtë vendim.

“Gjykata e ka konfirmuar aktakuzën e prokurorisë, kemi të bëjmë me ngacmim seksual. Janë tre vite me kusht”- tha Kurti.

Ai foli edhe për vendimin e marrë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

“Vendimi është i gjykatës dhe nuk kemi çka me thanë”- tha Kurti tutje.

Çka ndodhi me rastin e Medinë Dautit:

Medinë Dauti, viktimë e ngacmimit seksual, në emisionin #KallxoPernime të transmetuar në shtator të vitit të kaluar, ka rrëfyer se si për 3 vite me radhë ishte ngacmuar nga ish-profesori i saj i shkollës së mesme.

Në këtë intervistë 22-vjeçarja ka thënë se i dyshuari vazhdimisht i ka bërë presion si në rrjete sociale ashtu edhe gjatë kohës kur ajo ka dalë nga shtëpia.

“Presioni nuk ka qenë në rrjete sociale, sa herë që unë kam dalë në Gjilan, sa herë që unë kam shku në kafiteritë që dal, personi ka ardhë edhe është afru pa lejen time, ka tentu që të më flasë pa lejen time, ka tentu që të më përqafojë pa lejen time. Do të thotë, këto krejt kanë ndodhë kur unë i kam thanë që nuk po du me folë më me ty edhe që unë nuk kam ndjenja më për ty dhe nuk mundet me ndodhë kurrgjë në mes neve” – ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se vazhdimisht e ka paralajmëruar të dyshuarin se do të raportojë në Polici, mirëpo i njëjti nuk është ndalur.

“Unë e kam paralajmëruar personin që kam me e raportu në Policinë e Kosovës, por kjo nuk i ka bërë përshtypje edhe madje në një pjesë të tekstit më ka thanë edhe “Unë dal para gjyqtarit edhe unë i them se unë e dua atë çikë dhe dua të jem me të”. Kjo e ka treguar komplet qasjen e tij edhe mendimet e tij që i ka kundrejt fenomenit edhe unë konsideroj që ai më ka konsideruar pronë të tijën edhe e ka mohuar komplet integritetin tim individual edhe seksual për sa i përket zhvillimit tim” – ka theksuar ajo.

“Kam mendu që është person i rritur, është arsimtar. është person i shkolluar, dhe kam konsideru që si një person i rritur kupton kur dikush më i vogël se ai thotë “Jo” për diçka, sadopak e kam pritë këtë mirëkuptim nga ana e tij. Por, kjo nuk ka ndodhë” – ka vazhduar rrëfimin e saj ajo.

Tutje ajo ka thënë se deri te vendimi për ta raportuar në Polici ka ardhur pasi që i dyshuari ka filluar të shfaqte  sjellje “shumë agresive”.

“Pika kulminante që ka qenë kur unë kam shku në Polici, ka qenë kur personi më është afru në njërën prej kafiterive në Gjilan edhe ka shpreh sjellje shumë agresive kundrejt meje edhe shoqes tem edhe ka dashtë me na folë me zor edhe kur kemi fillu na me reagu është nervozu edhe ashtu jemi frikësu tepër shumë se qasja e tij ka qenë nuk ka qenë OK edhe prej qatij momenti kam vendosë me shku në Polici edhe me i tregu Policisë që kam fillu mandej me u frikësu për mirëqenien tem” – ka theksuar ajo.

Medinë Dauti ka denoncuar në gjykatë për ngacmim seksual ish-profesorin e saj K. K.

Gjykata e Gjilanit më 29 gusht 2022 kishte shpallur fajtor profesorin K. K. dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë e 200 euro, të cilën ai obligohet që ta paguajë në afat prej 3 muajve.

Pretendimet e Medinë Dautit për ngacmim seksual i kishte mohuar, avokati i K. K., Sherif Sherifi.

Ai kishte thënë se e konsideron normale që në mes dy personave të moshës madhore të ketë preferencë të caktuara.

Tutje Sherifi ka thënë se në dokumentet e Prokurorisë nuk ka elemente të veprën penale – ngacmim seksual.

“Prokuroria vetëm ka përshkruar mesazhet pa përfshirë asnjë element të veprës penale” – ka thënë ai.

Sherifi edhe më herët ishte deklaruar për këtë çështje. Ai kishte mohuar që Medinë Dauti të ketë qenë nxënëse e klientit të tij.

“Është potencu që kjo ka qenë ish-nxënëse e palës sime. Ajo kurrë nuk ka qenë nxënëse e profesorit. Është shpifje kjo, ne jemi duke përgatitur padi për shpifje dhe shumë shpejt do e dorëzojmë në gjykatë” – kishte thënë Sherifi për KALLXO.com.

Avokati tutje ka thënë se pala e dëmtuar nuk ka qenë ish-nxënëse e tij dhe një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe zyrtarisht.

“Mundeni edhe me e vërtetu zyrtarisht që ajo nuk ka qenë as edhe për një ditë nxënëse e palës time dhe ajo nuk mundet me e marrë statusin e ish-nxënëses” – tha avokati.

Mirëpo, profesori në fjalë, gjatë kohës sa e dëmtuara ishte nxënëse e këtij gjimnazi, i kishte ligjëruar në një orë asaj.