Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Skema si u përfshinë taksistët e Gjilanit në prostitucion

Gjykata Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur fajtor të pandehurit B.H dhe B.A pasi në vitin 2021 në dy lokacione të ndryshme kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual  të dëmtuarën A.H.

Personat e lartpërmendur janë dënuar me nga 3 vite burgim dhe 300 euro gjobë.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarve: B.H dhe B.A do të i’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.10.2021 deri në 04.03.2022.

Në aktgjykimin e Gjyakyës Themelore në Gjilan bëhet e ditur se B.H dhe B.A të dy janë prindër dhe me gjendje të rëndë ekonomike.

Sipas të dhënave të gjykatës, e dëmtuara ishte shfrytëzuar duke ditur gjendjen e saj po ashtu të rëndë ekonomike.

“Të pandehurit e lartshënuar në bashkëveprim në dy lokacione të ndryshme në motel “A…” në fshatin D.., Komuna R.. dhe në kafiterin ish “A..” fshati D.., Komuna e Gj…, e kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dëmtuarën A.H nga fshati D.., Komuna e I…, duke e ditur gjendjen e saj të rëndë ekonomike,sociale, në atë mënyrë që, e njëjta të ofroj shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm, kur i pandehur B… fillimisht e kishte thirrur në telefon viktimën dhe më pas e kishte dërguar viktimën në një kafiteri “(ish A..) në fshatin D…, Komuna e Gj…, ku ishte takuar me të pandehurin B…, i cili i kishte paguar kinse shërbimet për taksi në vlerë 31€, dhe më pas i pandehuri B.. dhe i pandehuri H… sipas dispozitivit II, shkojnë me viktimën e motelit të lartpërmendur në fshatin D.., Komuna e R…, dhe derisa viktima kishte shkuar të kryej marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, dhe pas reagimit të viktimës, i pandehuri B… ia jep viktimës 20€”- thuhet ne njoftimin e Gjykates.

Prokuroria Themelore në Gjilan- Departamenti për Krime të Rënda në këtë gjykatë me date 12.11.2021, ka paraqitur aktakuzën  kundër të akuzuarve: B.H dhe B.A për veprën penale të kryer në bashkëveprim, ‘trafikimi me njerëz’.

Gjykata Themelore në Gjilan me aktgjykimin e datës 22.04.2022, ka shpallur fajtorë të akuzuarit dhe i ka gjykuar si në vijim: B.H, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, të akuzuarin B.A, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 euro, si dhe të akuzuarin H.B, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditëve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3,500 eurove.

Gjykata e Apelit në Prishtinë, me aktgjykimin e datës 20.07.2022, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit B.H, dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, të datës 22.04.2022.