Shkupi - Foto: Naser Sertolli / KALLXO.com

Shkupi publikon të dhënat e militantëve që luftuan në Siri

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në Gazetën Zyrtare ka publikuar listën me të dhënat e detajuara të 15 personave që janë të përfshirë në luftërat e huaja, si pjesë e grupit militant, Shtetit Islamik, në Siri ku pjesë e të dhënave janë edhe numri amë, adresa e banimit dhe vepra për të cilën ngarkohen.

Që të gjithë këta persona nuk janë në dispozicion të strukturave të policisë dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet.

Në bazë të vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut këtyre 15 personave u ndalohet përdorimi, transferimi, konvertimi, transferimi ose disponimi i pronës, u ndalohet vënia në dispozicion e çdo pasurie, drejtpërdrejt ose indirekt, si dhe krijimi ose vazhdimi i një marrëdhënieje biznesi.

Qeveria vendimin e marrë e ka bazuar në Ligjin për masat restriktive ndërkombëtare.

Në vendimin e Qeverisë theksohet se 15 persona, të dhënat e të cilëve janë bërë publike, kanë marrë pjesë në formacionet paramilitare gjatë viteve 2014-2015.

Disa nga këta 15 persona, në formë të drejtpërdrejtë kanë qenë të përfshirë në luftën në Siri përderisa pjesa tjetër ka inkurajuar personat e tjerë që bashkë me familjet e tyre të shkojnë në Siri.

“Këto masa zbatohen gjithashtu për: pronën që disponohet, përdoret, zotërohet ose kontrollohet plotësisht ose pjesërisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi nga personat e specifikuar, – pasuria që buron ose rrjedh nga pasuria që disponohet plotësisht ose pjesërisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të përdorura, në pronësi ose të kontrolluara nga personat e specifikuar ose – pasuri e fituar shtesë nga personat e specifikuar për shkaqe të ndryshme”, thuhet në Ligjin për masat restriktive, të cilit i referohet Qeveria lidhur me zbatimin e masave financiare kundër terrorizmit, me ç’rast është përfshirë dhe publikimi i të dhënave personale të 15 personave që kanë marrë pjesë në luftën në Siri.

Ekspertët e sigurisë thonë se publikimi i të dhënave paraqet një vegël efikase për pamundësimin e transferimit të parave nga burime të dyshimta. Kurse, organizatat joqeveritare që në fokus kanë rehabilitimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja, konsiderojnë se të dhënat duhej të ishin të qasshme vetëm për institucionet, por jo edhe për opinionin pasi vihet në rrezik jeta e familjarëve të këtyre personave.

Zllate Dimovski, ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Qeverisë maqedonase është në përputhje me kriteret që vlejnë në vendet evropiane.

Dimovski konsideron se masat që ka ndërmarrë Qeveria mundësojnë ndjekjen e aktiviteteve terroriste dhe pengimin e sigurimit të mjeteve financiare nga jashtë vendit nga burime të dyshimta.

“Këto masa mundësojnë ndjekjen dhe pengimin e sigurimit të mjeteve financiare nga jashtë vendit gjatë dhe pas ndërprerjes së aktiviteteve të këtyre personave si të përfshirë në luftërat e huaja”, thotë Dimovski.

Ai thekson se masat restriktive ndërmerren edhe ndaj personave fizikë po edhe atyre juridikë që nxisin ekstremizmin e dhunshëm dhe në rastin final terrorizmin.

“Publikimi i të dhënave, pengesë për riintegrimin e të kthyerve nga luftërat e huaja”

Samet Shabani nga organizata joqeveritare Horizont, e cila në fokus ka rehabilitimin e personave që vijnë nga zonat e luftës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e qartë që masat restriktive financiare nga institucionet publike, parandalojnë përhapjen e veprimeve të ndërlidhura me terrorizmin, por shton se të dhënat duhet vënë në dispozicion vetëm për institucionet pasi me publikimin e tyre në gazetën zyrtare cenohet jo vetëm siguria e këtyre personave, por tërë familjes së tyre.

“Disa të dhëna nuk mund të jenë të qasshme publikisht meqë drejtpërdrejt cenojnë privatësinë e personit, pa marrë parasysh se për çfarë krimi është i akuzuar. Çka nëse dikush tenton sulm ndaj personave të sanksionuar ose familjarëve me të cilët bashkëjeton, duke iu qasur adresës së vendbanimit, të cilën Qeveria e ka bërë publike nëpërmjet vendimit në fjalë?”, thotë Shabani.

Ai ka vërejtje ndaj kohëzgjatjes së këtyre masave.

“Masat e tilla nuk mund të zbatohen me kohë të pacaktuar, siç edhe bëri Qeveria, sepse kështu personat në fjalë mund të dekurajohen për riintegrim në vendlindje. Për më tepër, sanksionimet pa kohëzgjatje të kufizuar nga Qeveria janë kundër logjikës së riintegrimit të personave në fjalë, për të cilët e njëjta Qeveri ka përpiluar Plan nacional për riintegrim”.

“Nuk mund të synosh riintegrim, në njërën anë, dhe të zbatosh sanksione pa kohëzgjatje të kufizuar, në anën tjetër. Mospërcaktimi i një kohe të kësaj përmase mund të nxisë personat në frustrime të mëtutjeshme dhe kërkim të alternativave tjera kriminale”, thotë Shabani.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e huaja, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me së paku pesë vjet burgim.

Në bazë të të dhënave të organizatave joqeveritare në luftërat e huaja janë përfshirë 156 persona. Në bazë të të dhënave zyrtare, 83 persona janë kthyer në vend, 30 prej tyre u është shqiptuar dënimi me burgim./REL