Mitrovica e Veriut Foto: Atdhe Mulla / KALLXO.com

Historia e ‘Ardhjes’ së Car Llazarit në Sheshin e Mitrovicës së Veriut

Një kamion ka shkarkuar mbrëmë në sheshin qendror të Mitrovicës së Veriut një shtatore gjigande Car Llazarit, të komandantit që u priu ushtrive ballkanike në përballjen me Perandorinë Osmane 627 vjet më parë në atë që historia tash e njeh si “Beteja e Kosovës”.

Për ta vendosur këtë shtatore në atë vend ka vendosur asambleja komunale e Mitrovicës së Veriut në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur më 17 qershor.

Nga 19 asamblistë sa ka komuna e Mitrovicës së Veriut, në favor të vendosjes së kësaj shtatoreje kishin votuar 11

Gëzim Alushi, këshilltar komunal nga AAK, tha sot për KALLXo.com se kuvendi komunal i Mitrovicës së veriut ka vendosur për përmendoren e Car Lazarit në seancën e jashtëzakonshme dhe pa prezencën e përfaqësuesve të komuniteteve joserbe.

“Kuvendi Komunal na ka ftuar në seancën e jashtëzakonshme, ne komunitetet joserbe kemi vendosur që të shkojmë dhe ta kundërshtojmë vendimin. Pas kundërshtimit e kemi lëshuar seancën ndërsa asamblistët serbë pasi që i kanë numrat e kanë votuar dhe miratuar vendimin për përmendoren e Car Llazarit pa prezencën tonë”, tha Alushi.

Në komunikatën e komunës së Mitrovicës së Veriut të lëshuar pas mbajtjes së kësaj seance thuhet se ka qenë asamblisti i Listës Serbe Igor Simiq ai i cili e ka arsyetuar vendosjen e kësaj shtatoreje në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Simiq citohet të ketë thënë se tani e 17 vite në Kosovë nuk ka ndonjë shtatore të Car Lazarit. Ai ka rikujtuar se një shtatore e tij që ka qenë në qendër të Gjilanit, është larguar e rrënuar në korrik të vitit 1999.

”Ne sot kemi nderin dhe kemi për obligim të përmirësojmë këtë padrejtësi, që popullit t’i dhurojmë atë që më parë i është privuar dhe me këtë gjest të shpaguhemi para paraardhësve tanë”, ka thënë Simiq.

Bashkë me bazamentin, shtatorja që pritet të përurohet më 28 qershor, ditën kur serbët shënojnë përvjetorin e Betejës së Kosovës, do të jetë 10 metra e gjatë.

Mediat serbe raportojnë se në përurim pritet të vijë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Në këtë mbledhje, asamblisti nga PDk, Emir Azemi, citohet të ketë thënë se përfaqësuesit shqiptarë nuk do të marrin pjesë në votim pasi që ata nuk dëshirojnë të mbeten “peng i miteve të vjetra historike, por duan të jenë shembull i një shoqërie të ardhshme demokratike”.