Kuvendi Komunal në Mitrovicë të Veriut, 18.12.2025- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Nga thirrja që Policia të largohet nga salla deri te vendimi për t'u tërhequr nga AKK - Krejt çka ndodhi në Mitrovicë të Veriut

Mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut filloi në orën 11:00 sot më 18.12.2025.

Në sallën në të cilën zë vend stema e Republikës së Kosovës dhe fotografia e presidentes Vjosa Osmani ishin të pranishëm të gjithë të zgjedhurit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, dy prej tyre nga komuniteti shqiptar.

Mbledhja nuk nisi pa kuptuar fillimisht anëtari më i vjetër, Sinisha Llaziq, se a ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës të pranishëm.

Ai madje bëri tirrje që nëse ka të tillë – ta lirojnë sallën.

“Nuk shoh përfaqësues të Policisë. Por nëse janë fizikisht të pranishëm dhe nuk kanë leje, u kërkoj të largohen nga salla”- tha ai.

Ulësen e kryesuesit të Kuvendit Komunal e siguroi Nemanja Bishevac nga Lista Serbe, me gjithsej 10 vota.

Ndëkaq në kutinë e votimit të vendosur në tavolinën e kryesuesit nuk e çuan votën Aida Ferati-Doli, asambliste nga radhët e Vetëvendosjes dhe Emir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pra, këta dy anëtarë nuk votuan fare.

Gjithsesi, kryesuesi i komisionit, Ivan Zaporozhac, uroi kryesuesin e ri duke i dëshiruar fat e sukses në të ardhmen.

“Të pranishëm kanë mbetur 13 anëtarë, prej të cilëve 11 kanë votuar. Numri i fletëvotimeve të vlefshme ishte 10, ndërsa 1 ishte i pavlefshëm. Në bazë të numërimit të fletëvotimeve, komisioni, pas zhvillimit të procedurës së votimit të fshehtë, paraqet këtë raport: Kandidati i zgjedhur është Nemanja Bishevac, me 10 vota”- tha Zaporozhac.

Pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, kryesuesi zgjodhi zëvendëskryesuesen për komunitete, Aida Doli-Feratin, nga LVV.

“Në këtë rast, në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, neni 54, paragrafët 1 dhe 2, posti i zëvendëskryesuesit i takon këshilltarit nga komuniteti joshumicë, i cili në zgjedhje ka marrë numrin më të madh të votave. Sipas rezultateve, kjo është zonja Aida Ferati-Doli, të cilën e ftoj të marrë detyrën e zëvendëskryesueses”- potencoi ai.

Qysh në fillim të mbledhjes së rregullt të Kuvendit Komunal, kërkesa e kryetarit të Komunës, Millan Radojeviq, ishte tërheqja e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Sa i përket kësaj pike të rendit të ditës, propozoj largimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Çdo aderim i mëtejshëm në ndonjë asociacion tjetër apo vendim i ngjashëm duhet të vendoset nga vetë qytetarët. Qytetarët na kanë dhënë mandatin, qytetarët na kanë dhënë besimin, ne punojmë në interes të qytetarëve. Prandaj i ftoj të gjithë këshilltarët të votojnë për daljen e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës”- tha ai.

Propozimi i kryetarit u miratua nga Kuvendi Komunal.

“Me 11 vota pro, 2 vota kundër dhe asnjë votë abstenim, me propozim të kryetarit të Komunës, Millan Radojeviq, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka miratuar vendimin për daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Urime!”- potencoi kryesuesi i zgjedhur, Nemanja Bishevac.

Kundërshtime kishte nga zëvendëskryesuesja Aida Ferati-Doli dhe nga asambisti i PDK-së, Emir Azemi.

Ferati-Doli tha se kjo kërkesë do të duhej të bëhej paraprakisht me shkrim.

Ndërsa se priste ndonjë kërkesë për të mirën e qytetit nga kryetari e tha asamblisti nga radhët e PDK-së, Emir Azemi.

“Kam pritur se do të vijë me ide inovative pasi kemi probleme më të mëdha. Kam pritur që do të formojë një komision se cilat janë kërkesat e qytetit dhe qytetarëve. Gjithsesi është një organ tjetër që e kthen ligjshmërinë e çdo vendimi. Është mirë të kemi zhvillim, prosperitet e ekonomi për të gjithë qytetarët”- tha Azemi.

 

Rreth votimit të 4 komunave në veri të Republikës për t’u tërhiqur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka folur edhe drejtori i AKK, Sazan Ibrahimi.

Ai tha për KALLXO.com se Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë vullnetare, anëtarësimi në të cilën bazohet në vendimin e lirë dhe autonom të secilës komunë, në përputhje me Statutin e AKK-së dhe parimet e vetëqeverisjes lokale.

“Misioni i AKK-së mbetet i pandryshuar: përfaqësimi i interesave të komunave të Republikës së Kosovës, fuqizimi i vetëqeverisjes lokale dhe avancimi i shërbimeve për qytetarët, pa dallim partie apo etnie”- tha Ibrahimi.

Sipas tij, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, AKK ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma kryesore e bashkëpunimit ndërkomunal, duke ofruar: përfaqësim institucional të komunave në nivel qendror dhe ndërkombëtar, mbështetje profesionale dhe ligjore për komunat, ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kolegjiumeve profesionale, zbatim të projekteve të rëndësishme me mbështetje të partnerëve ndërkombëtar dhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në qeverisjen lokale.

“AKK mbetet e përkushtuar të punojë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë për forcimin e demokracisë lokale, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel komunal. Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e tij në përputhje me mandatin statutor dhe interesin e përgjithshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë”- potencoi ai.

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës i fitoi Lista Serbe.