Akademia përkujtimore për Rugovën | Foto: Komuna e Gjilanit

Haziri: Rugova Bashkoi Shqiptarët në Ushtri të Paqes

Lutfi Haziri në akademinë për Ibrahim Rugovën që u zhvillua nën patronatin e tij në kuadër të manifestimit të përvitshëm “Flaka e Janarit”, e quajti ish-Presidentin bashkues të shqiptarëve.

“Duke qenë lider politik… ai i rreshtoi të gjithë bashkë në një ushtri të paqes dhe solidaritetit, drejt qëllimeve që shqiptarët të jetojnë të lirë dhe të pavarur,” tha Haziri në akademi, sipas një komunikate të lëshuar nga Komuna e Gjilanit.

Haziri e quajti Ibrahim Rugovën njeri që ndryshoi për mirë gjendjen e shqiptarëve.

“Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci,” tha Haziri.

Kryetari i Gjilanit deklaroi se sot shumëkush thotë se ishte i afërt me Rugovën, por sipas tij Rugovën e ka dashur vetëm një kategori e njerëzve-populli shqiptar i Kosovës.

Në emër të Isa Mustafës në këtë akademi përkujtimore foli ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi.

“Ne ishim me fat që në rrethana kritike patëm një udhëheqës politik e shpirtëror, që me urtësinë, përkushimin, vendosmërinë dhe durimin, solli lirinë, pavarësinë dhe demokracinë,” tha Abrashi.

Në akademinë e Gjilanit morën pjesë edhe pasardhësit e Ibrahim Rugovës, ndërsa Kryeministri dhe kryetari i LDK-së nuk ishte i pranishëm as në akademinë përkujtimore për Rugovën të organizuar në Prishtinë, pasi ndodhej në udhëtim.

Mustafa megjithatë kujtoi në Facebook 11 vjetorin e vdekjes së Rugovës. Të njëjtën gjë e bënë edhe Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

http://kallxo.com/mustafa-rugoves-askush-nuk-degjoi-nje-fjale-te-keqe/

http://kallxo.com/thaci-kujton-vdekjen-e-rugoves/

KALLXO.com shkroi sot se institucionet qendrore nuk planifikojnë ta shënojnë me ndonjë aktivitet përvjetorin e vdekjes së Rugovës.

http://kallxo.com/heshtje-institucionale-ne-diten-e-vdekjes-se-rugoves/

Kryetari i parë i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, pas një sëmundjeje të rëndë.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri