Foto: ZPRK

Osmani: Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore në 18-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, tha se ai do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës.

Osmani tha se Rugova i shërbeu Kosovës deri në frymën e fundit.

“Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”- ka thënë Osmani.

“Ai qe vërtet biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj”- theksoi ajo.

Më tej, presidentja është shprehur se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, “në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”.

“Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme.  Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”- ka pohuar Presidentja.

Sipas Osmanit, presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj – atë human.

Ajo më tej ka thënë se Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës sepse “ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi”.

“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”- ka shtuar presidentja Osmani.

“Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij.  Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit por pritën me orë të tëra, për ta përcjellur prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- theksoi ndër të tjera Osmani.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, vdiq më 21 janar 2006.

www.kallxo.com