Foto: Albin Kurti / Facebook

Qëndrimet ndër vite të Albin Kurtit për Ibrahim Rugovën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës në 18-vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës. Po ashtu, ai vizitoi edhe familjen Rugova, prej ku dha lajmin se Qeveria të cilën drejton do të nisë një projekt për restaurimin e rezidencës së presidentit Rugova.

Kurti e vlerësoi figurën e ish-presidentit, duke thënë se Rugova kishte ndikim “në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezidencës së vjetër”.

Për herë të parë për homazhe te varri i Rugovës Kurti kishte shkuar në vitin 2020, kur për herë të parë mori drejtimin e Qeverisë së vendit, më 17 shkurt, në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot teksa shënojmë dhe festojmë 12 vjetorin e Pavarësisë, kujtojmë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 maj 1992. Një dekadë më vonë me 4 mars të vitit 2002, në Kuvendin e Kosovës, doktor Ibrahim Rugova rizgjidhet sërish President i Kosovës, kësaj radhe President i parë në Kosovën e çliruar” – kishte deklaruar Kurti.

Përgjatë viteve, Albin Kurti nuk kishte shkuar për homazhe te varri i Rugovës. Për këtë, ai kishte dhënë edhe një shpjegim.

“Jam takuar dy herë me Ibrahim Rugovën. Jemi pajtuar por nuk kemi pasur qëndrime të njëjta për mënyrën se si do të kundërshtonim. Atëherë isha student” – kishte thënë Kurti para pesë viteve.

“Nuk mendoj se besimi nuk duhet të jetë për atë gjest [shkuarjen te varr]. Nëse e shihni se kush sot po shkon te varri i Ibrahim Rugovës, atëherë shihet se sa vlerë ka ajo. Kur është njeriu aktual ne kemi kritika të mëdha. Sot kur nuk është mes nesh, nuk mund ta kem qëndrimin e njëjtë si në vitin ’97, por s’mund të kaloj nga një ekstrem deri në një tjetër” – deklaronte Kurti.

Mospajtimet me Rugovën, Kurti kishte thënë që i kishte në fund të viteve të 90-ta. Por, ai deklaronte se kishte edhe disa pajtime në qëndrime me ish-presidentin.

“Unë me presidentin Rugova jemi takuar dy herë, edhe takimet i kemi pasur konstruktive edhe kur s’jemi pajtuar, jemi pajtuar për qëllimet nuk jemi pajtuar në fund të viteve 90-ta për mjetet. Unë nuk e fsheh as pajtimin që kam pasur me presidentin, as mospajtimin, por e vlerësoj në veçanti për vitet 1989-1992 për një deklaratë që shumë veta mundohen ta heshtin, si vijon: “Pavarësia është kompromis” – ka thënë Ibrahim Rugova” – kishte thënë në tetor 2019 gjatë një interviste në “Syri Tv

Në shkurt të vitit 2002, disa muaj pasi ishte liruar nga burgu serb, Kurti ishte pyetur se çfarë mendon për Ibrahim Rugovën dhe partinë e tij, LDK-në.

“Çfarë mendoj për Lidhjen Demokratike të Kosovës? Mendoj atë çfarë kam menduar gjithmonë duke qenë se LDK-ja ndërkohë nuk ka ndryshuar. Unë mendoj që LDK-ja është demokratike vetëm në atë epitetin e saj, sa i përket strukturës së brendshme, sa i përket veprimtarisë, nuk mendoj që është demokratike, ajo është një parti autoritare e cila e ka në krye një njeri që 12 vite, z. Rugova, i cili nuk është dëshmuar me suksese në politikë” – kishte thënë Kurti.

Atë kohë, ai ishte pyetur edhe për atë se pse Rugova nuk e ka pranuar UÇK-në.

“Mendoj se pse nuk e ka pranuar është e qartë nga vetë sjellja e Rugovës në vitet e 90-ta. Ideja e Rugovës ka qenë që të bllokoj çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare aktive” – kishte thënë Kurti.