Haradinaj: Vendi Duhet të Shkojë në Zgjedhje

Në kuadër të fushatës “AAK në komunën tuaj”, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Gjakovën.

Në këtë qytet, Haradinaj ishte për vizitë në Bashkësinë Islame, në Kishën Franceskane si dhe në Teqe tek shejh Ruzhdi Shehu.

Pas vizitës në ndonjë ndërmarrje, në KF Gjakova, në terrenet e hapura sportive, etj., lideri i AAK-së zhvilloi një takim me strukturën udhëheqëse të degës së partisë së tij në Gjakovë.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ramush Haradinaj përveç për projektin “AAK në komunën tuaj” foli edhe për situatën politike në vend.

“Është komunikim në radhë të parë, ripërtëritje e informatave të ndërsjella mbi gjendjen ose edhe mbledhje e informatave në planifikim”, tha ai rreth vizitës së tij në kuadër të kampanjës “AAK në komunën tuaj”.

Haradinaj tha se në politikë çdoherë duhet qenë aktiv. “Nuk e di se kur mund të kemi zgjedhje dhe mirë kish qenë me qenë shpejt, por prapë se prapë ne duhet të jemi në vazhdimësi në tema dhe në punë”, shtoi ai.

I pyetur për situatën në vend, Ramush Haradinaj tha se mënyra se si po udhëhiqet vendi është gabim.

“Ka vendime të gabume, marrëveshje të gabume dhe kërkojmë që mandati t’i kthehet qytetarit dhe vendi me shku në zgjedhje”, tha ai për KALLXO.com.