Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj reagon pasi Serbia ia ndaloi hyrjen Kombëtares së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar vendimin e autoriteteve serbe që ia ka ndaluar hyrjen e Kombëtares së Kosovës në Karate në Serbi, ku do të merrte pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad.

Sipas Haradinajt, ky vendim i autoriteteve të Beogradit është akt i papranueshëm “që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona”.

“Autoritetet serbe janë njoftuar më kohë nga Komiteti Olimpik i Kosovës për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar me kohë është i paqëndrueshëm”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

“Këtë akt ndalese të shtetit serb, të dytin më radhë brenda një kohe të shkurtë, e konsiderojmë si veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit në vend të bashkëpunimit”, ka shtuar kryeministri.

KALLXO.com raportoi për ndalesën që iu bë Kombëtares së Kosovës në Karate në pikën kufitare në Merdar.