Javët e biznesit kosovar - Foto: KALLXO.com

Haradinaj i Quan ‘Heronj’ Prodhuesit Vendorë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur “heronj” të kohës së re prodhuesit vendorë.

“Ju jeni heronj të rinj të kohës së re, sepse ju punësoni njerëz. Mos hezitoni! Zyra ime, zyra e ministrave të Qeverisë, janë zyrat tuaja”, ka thënë Haradinaj në hapje të “Javëve të Biznesit Kosovar”.

Në këtë ngjarje, i pari i Qeverisë ka thënë se prodhuesit kosovarë nuk janë vetëm.

“Jemi te gëzuar që lirimet prej tatimit, lëndës së parë, tani është realitet, hynë shumë shpejt në fuqi”, shtoi ai.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se nuk humbin tregtarët nëse konsumohen produktet vendore, sepse dikush e shet atë produkt. “Sa shkojnë në skaj te dynjasë, ata këtu e kanë”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa, Agim Shahini tha se objektiv i Aleancës Kosovare të Bizneseve është të promovojë ekonominë kosovare dhe të rritet konsumi i produkteve vendore.

Shahini u bëri thirrje bizneseve prodhuese të bëjnë më shumë që të krijohen mundësi për prodhim e punësim.

“Shpresoj që do të tejkalohet konkurrenca e jashtme që shpeshherë është e padrejtë”, theksoi ai.