Haradinaj për universitetet: Ani a t’i mbyllim krejt pra?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëri është shprehur kundër vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për tërheqjen e akreditimit për tri universitetet publike, atë të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës.

Haradinaj gjatë një vizite në komunën e Fushë Kosovës tha se KShC është ngutur me vendimet e tyre dhe ka vepruar me indiferencë.

“Mitrovica Trepçën se ka ma, ekonomi s’ka, plotë familje fëmijët i kanë në shtëpi. Në vend se mi ndalë programet për ata fëmijë, është dashtë me kërku një takim alarmues me thënë që me ndryshu cilësia apo me ndryshu kritere apo ku o problemi, po mu sill qaq me indiferencë thu ti se je ka flet për spo di çka, edhe mi ndal programet edhe mi lënë gjithë ata fëmijë”, tha Haradinaj.

Ai u përgjigj edhe zërave se fakultetet nuk i kanë merituar akreditimet, me pyetjen “A t’i mbyllim krejt pra?”.

“Dikush po thotë po fakultetet tona të këqija, ani a t’i nalim krejt pro, na nuk guxojmë mu sjellë ashtu ndaj fëmijëve”, tha Kryeministri.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Në anën tjetër, në përkrahje të KShC-së kanë dalur organizatat jo-qeveritare, të cilat organizuan protestë sot për ta kundërshtuar intervenimin e politikës në këtë agjenci të pavarur.

Universitetet e Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj