Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Mes polemikash, Kuvendi i Kosovës emëron anëtarët e rinj të KShC-së

Kuvendi i Kosovës me vota 63 për, 9 vota kundër dhe asnjë abstenim ka ratifikuar 7 anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Anëtarët e miratuar nga Kuvendi janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Alison Felce, Cassie Barnhardt, Werner Stueber.

Anëtarët e zgjedhur kanë mandat pesëvjeçar.

Paraprakisht ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci tha se miratimi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit është një çështje me prioritet.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstituohet sot ky Këshill sepse nëse kjo nuk arrihet, nuk do të ketë mundësi që të regjistrohen studentët në vitin e ri akademik në 239 programe akademike e prej tyre vetëm në Universitetin  Prishtinës janë 94 programe akademike që presin të marrin akreditimin. Përveç kësaj pa akreditim mund të mbesin edhe Universiteti i Gjilanit dhe i Gjakovës”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi tha se LDK nuk e mbështet votimin e anëtarëve të KShC-së, pasi sipas saj nuk është korrekte që të aprovohen kur ligji për Agjencinë e Akreditimit është i gatshëm.
“Qëndrimi i LDK është se përzgjedhja e anëtarëve të KShC nuk garanton depolizitmin e procesit të akreditimit dhe sigurimin e cilësie. Po ashtu, nuk është korrekte që të aprovohet këshilli kur ligji për Agjencinë e Akreditimit është afër miratimit. AKA ka nevojë për një intervenim sistematik dhe me efekt afatgjatë”, tha Dumoshi.

Kurse nga PDK-ja deputetja Eliza Hoxha tha se e kanë bërë të qartë se procesi i emërimit ka probleme të shumta.

“E dimë rëndësinë e themelimit të këtyre anëtarëve, por ka pasur kohë nga marsi të nis ky proces më herët”, tha mes tjerash ajo.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha po ashtu propozoi që të votohen vetëm 3 anëtarët ndërkombëtarë dhe sipas saj kështu funksionalizohet bordi i KShC.

“Nëse s’jemi për ngut ministre, atëherë po i votojmë vetëm ndërkombëtarët dhe 2 janë aktualisht dhe funksionalizohet bordi, kaq”, tha Hoxha.

Propozimin e Hoxhës e përkrahi edhe deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj po ashtu tha të mos votohen anëtarët vendor dhe të përfshihen britanikët në monitorim.

“Pasi sot keni nënshkruar marrëveshjen sot me Britanikët, atëherë shtyjeni këtë proces të votimit të anëtarëve vendor dhe i hyjmë një procesi kredibil që i beson edhe Kuvendi. Jepne këtë mundësi dhe përndryshe jeni tu gabu rëndë. Edhe heqe nervozën ministre, se s’je më nënkryetare e Kuvendit”, tha ai.

Ndërsa deputeti Shemsedin Dreshaj, deputet nga AAK-ja tha se nuk do të flasë as për nipa e as për dajë, por për kritere dhe cilësi.

“Konkursi për personat e përzgjedhur lë shumë për të dëshiruar edhe pse asnjërin prej tyre as nuk i njoh as nuk kam asgjë kundër. Shqetësimi im është a thua Kosova s’paska njerëz më të mençur se këta?”, tha deputeti.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola i’u përgjigj deputetit Dreshaj se ka njerëz më të mençur, por është vështirë të gjendet një përbërje e mirë nga ky konkurs.

“Kosova ka njerëz të meçëm por për këtë janë filtrat instiucional për të cilët nxjerrin yndyra për secilën fushën. Këta kandidatë janë propozuar në besimin që tregon yndyrën e konkursit. Është e vështirë që të gjendet një përbërje e mirë nga ky konkurs, anash problemit me CV-në me Seb Bytyçi në të cilën komisioni e ka filtru sa ka pasur mundësi”, tha Gola.

“Unë personalisht po votoj për funksionalizim të Këshillit dhe si kryetari i Komisionit për Arsim japë publikisht një premtim që këtë këshill do ta kemi nën llupë dhe për çdo veprim që ata bëjnë”, tha Gola më tej.

E nga Grupi Parlamentar Multietnik, deputeti Enis Kervan tha se  e përkrahin propozimin e Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të KShC-së me sugjerimin që në të ardhmen ky konkurs të ketë mundësi për aplikim edhe të kandidatëve nga komunitetet jo-shumicë.

Çështja e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë është diskutuar gjatë, kur Komisioni për Arsim nuk i dërgoi fillimisht për votim kandidatët e rekomanduar nga Ministrja, pasi njëri nga kandidatët kishte dorëzua CV me gabime drejtshkrimore.

Që nga shkurti i këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka qenë jo funksional, për shkak se 5 ish-anëtar të këtij bordi dhanë dorëheqje.

Pas kësaj, ministria e Arsimit dhe Shkencës, me qeverinë e re e formoi një komision profesional që i ka përzgjedhur 4 prej rreth 30 aplikantëve dhe i kanë rekomanduar ministres, Arbërie Nagavci për miratim. Kurse, për 3 anëtarët ndërkombëtar propozime kanë dhënë organizatat ndërkombëtare në vend.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Ndërsa, deri tek emërimi i anëtarëve siç parashihet sipas nenit 7, pikës 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë, anëtarët e propozuar duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.