KShC shqyrton aplikacionet për akreditim dhe ri-akreditim të universiteteve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim gjatë dy ditëve të fundit ka mbajtur mbledhje në të cilat janë shqyrtuar edhe aplikacionet për akreditim dhe ri-akreditim të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për vitin akademik 2020/2021.

“Në ditët në vijim AKA-ja do t’i njoftojë të gjitha IAL-të rreth rezultateve të mbledhjes, duke iu garantuar atyre kohë të mjaftueshme për procedurat e mëtejme që lidhen me vlerësimin e jashtëm”, thuhet në njoftimin e AKA-së.

Tutje në njoftim thuhet edhe se në këtë mbledhje, KShC-ja ka miratuar listën e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët do të angazhohen nga Agjencia e Kosovës për Akreditim në procesin e akreditimit për vitin e ardhshëm.

“Në këtë mbledhje, e cila zgjati dy ditë, janë shqyrtuar dhe është vendosur edhe për shumë çështje të cilat janë brenda kompetencave të KShC-së. KShC-ja dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, për shkak të emergjencës shëndetësore, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për të zbatuar përgjegjësitë ligjore dhe institucionale”, thuhet në fund të njoftimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.