Haradinaj ‘ngurron’ ta mbështesë financiarisht Telekomin

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kabineti qeveritar është informuar me gjendjen në Telekomin e Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka prezantuar situatën dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo kompani publike me interes vital për zhvillimin e vendit. Në veçanti ka theksuar gjendjen me mungesën e shërbimeve të mirëmbajtjes së aparaturës së kompanisë, vëmendja institucionale dhe mungesa e ristrukturimit të kompanisë, janë disa nga sfidat që janë duke e pamundësuar edhe funksionalizimin e Telekomit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur angazhimin e kabinetit qeveritar për të mbështetur Telekomin e Kosovës që të funksionojë me afarizëm pozitiv, por ka theksuar se mbështetjet financiare nga buxheti, kjo Qeveri nuk i parapëlqen. Me këtë rast Kryeministri Haradinaj ka kërkuar që kabineti qeveritar të pranojë një analizë në një raport të shkruar nga menaxhmenti i kompanisë dhe gjithashtu ka kërkuar që të përpilohet një plan biznesi i qëndrueshëm, që do të paraqiste ide se si duhet të dalim nga kjo situatë, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.