Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me banorët e Shipitullës dhe Hades - Foto: ZKM
Haradinaj Arrin Marrëveshje me Banorët e Shipitullës dhe Hades
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve të Shipitullës dhe Hades sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade.
“Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas komunikatës, kryeministri Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje mundëson që ekskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
“Përveç kësaj Kosova mbi të gjitha përfiton, meqë një nga problemet e qytetarëve të saj është zgjidhur në harmoni të plotë me kërkesat e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit të shefit të Qeverisë me delegacionet e dy fshatrave të komunës së Obiliqit, me të cilët ka diskutuar edhe mbrëmë për çështjen e shpronësimit të pronave të tyre, të pasura me thëngjill.
Sipas banorëve që ende jetojnë pranë mihjes sipërfaqësore të thëngjillit, këta ekskavatorë nxorën thëngjill në zonën 120 metra larg shtëpive, ndërsa sipas tyre, ata duhet të punojnë në zonën e sigurisë prej 250 metrash.
Protesta lidhet edhe me shpronësimin e pronave të këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.
Më 30 gusht Qeveria në detyrë miratoi shpronësimin e 17 pronave të Shipitullës.