Ministri i Financave, Bedri Hamza - Foto: Ministria e Financave

Hamza: Buxheti do të shpenzohet në arsim, punësim e shëndetësi

Qeveria miratoi raportin tremujor për buxhetin 2018 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.

Me vota unanime është aprovuar Shqyrtimi i Raportit Tremujor të Buxhetit për vitin 2018.

“Pranimet buxhetore kanë shënuar 14 milionë euro rritje kjo për shkak të rritjes tatimore. Të dhënat tregojnë se trendi i të hyrave është brenda kufijve të rregullt. Realizimi i shpenzimeve është brenda kufijve të rregullt”, tha Hamza.

Pastaj me dy vota kundër u miratua Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për Vitin 2018.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se ky dokument është përgatitur në bazë të standardeve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ai tregoi se ku parashihet të shpenzohet paraja publike me këtë kornizë.

“Paranë publike në tri vitet e ardhshme do ta shpenzojmë në tri fusha prioritare arsimi, punësimi dhe shëndetësia”, tha Hamza.

Ministri foli edhe për rritjen e pritur ekonomike dhe shpenzimet.

“Rritja reale ekonomike në vitin 2018 do të jetë 5 për qind. Shpenzimet e përgjithshme ‎2018-2021 do të rriten mbi 2 miliardë”, tha Hamza.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se sektori i arsimit po trajtohet si çështje prioritare mirëpo në shifra nuk paraqitet një gjë e tillë.

“Nga informacioni që mora ka rritje 5 për qind për arsim. Mirëpo nëse llogarisim në shifra të thjeshta rritja ne arsim është vetëm 1 për qind. Nga ky planifikim i kornizës afatmesme do të mbulohen vetëm projektet e vjetra dhe jo të rejat”, tha Bytyqi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica tha se me buxhetin e planifikuar po mbeten shumë projekte jashtë realizimit.

“Unë kam në procedurë Ligjin e punës dhe në të është përfshirë Ligji për lehonat dhe ne kemi planifikuar fond prej 15.7 milionë euro dhe nuk është përfshirë në kornizë. Ne kemi proceduar dhe ligjin për skemat pensionale dhe kjo nuk është paraparë”, tha Reçica.

Ai kërkoi që korniza të rishqyrtohet.