Hahn: Kosova të tërheqë menjëherë taksën 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, ka reaguar në lidhje me taksën doganore 100% për produktet serbe dhe boshnjake të vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Twitter” ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi, duke njoftuar edhe për një vizitë në Kosovë.

“Ky akt, që dëmton edhe konsumatorët dhe bizneset e Kosovës, duhet të kthehet prapa menjëherë. Kosova mban kryesimin e CEFTA-s dhe për këtë ka përgjegjësi të veçantë. Së shpejti do të marr pjesë në javën e CEFTA-s në Prishtinë dhe pres që kjo të zgjidhet deri atëherë”, ka shkruar Hahn.