Haziri: Të largohet tarifa ndaj Serbisë, më vonë reciprociteti

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se është koha që të hiqet tarifa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Haziri ka shtuar se reciprociteti mund të vendoset me kohë e sipër.

“Vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm. Jo gjithmonë, janë vendime popullore për të tashmen, por të domosdoshme për të ardhmen. Koha për vendime të rënda, por të domosdoshme. Koha me e largu tarifën. Vlerësimet për reciprocitet bëhen në ecje e sipër”, ka shkruar ai në Facebook.

Tarifa 100 % ndaj produkteve serbe është vendosur në fund të muajit tetor 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj.

Kjo tarifë kishte shkaktuar edhe pezullimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe po ashtu kishte nxitur reagime nga ndërkombëtarët.

Në të njëjtën kohë, sipas Kryeministrit Albin Kurti ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari i ka bërë disa hapa të cilën e afrojnë heqjen e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ministrja Rozeta Hajdari merr hapa drejt zëvendësimit të tarifës me reciprocitet