Haradinaj takon ambasadorin Kosnett, diskutojnë për dialogun me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-ve, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në facebook, Haradinaj ka thënë se në këtë takim kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi si dhe përfshirjen e SHBA-ve në këtë proces.

“Ambasadorit Kosnett i thash se është i mirëseardhur dhe i nevojshëm aktivizimi i SHBA-ve në dialog. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë sepse orientimet tona në politikë të jashtme kanë kahje të kundërta”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas Haradinajt ‘përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë’.

Haradinaj në takim me Kosnett ka theksuar nevojën e arritjes së marrëveshjes më Serbinë.

“I paraqita Ambasadorit Kosnett nevojën për marrëveshjen finale që rezulton në njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe kjo duhet të përmbyllet sa më shpejtë”, ka theksuar ai.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë nga qeveria Haradinaj.