Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive në Prishtinë, në ditën e dytë të grevës. Foto: Kallxo.com
Greva e punëtorëve shtyn edhe 100 seanca tjera gjyqësore
Punëtoret e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive sot kanë hyrë në ditën e dytë të grevës.
Greva vjen pak javë pasi qeveria ka marrë një vendim për rritjen e pagave deri në 100 % për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.
Me këtë vendim përfitojnë në mënyrë automatike edhe gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës meqë ligji në Kosovë përcakton rrogën e një gjyqtari dhe prokurori sa të një ministri.
KALLXO.com edhe gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me Kryesuesin e Këshillit Grevist nga i cili ka kërkuar numrin e seancave të cilat janë shtyrë sot si shkak i grevës së punëtoreve të administratës.
Naim Shala për KALLXO.com tha se gjatë ditës së sotme kanë qenë të parapara që të mbaheshin më shumë se 100 seanca gjyqësore por që për shkak të grevës së punëtorëve ato seanca nuk janë mbajtur.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme si rezultat i grevës janë shtyrë afro 100 seanca gjyqësore.
Përkundër ditës së djeshme sot palët janë lënë që të hynë brenda në Gjykatë dhe Prokurori.
Pas takimit me Kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Kryesuesi i Këshillit Grevist Naim Shala ka mbajtur një takim edhe me punëtoret grevist nga të cilët ka kërkuar që të mos mbyllin derën e Gjykatës dhe t’i lejojnë palët që të futen brenda në hapësirat e Gjykatave dhe Prokurorive si dhe lëndët të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave të mbahen.
Ai tha se deri më tani nuk janë plotësuar asnjë nga kërkesat e tyre prandaj paralajmëroi se greva do të vazhdoj deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.
Si rezultat i grevës së punëtoreve të administratës, dje dhe sot janë shtyrë dy seanca të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave.
https://kallxo.com/gjykimi-per-krim-te-organizuar-shtyhet-shkaku-i-greves/