Gjykimi për grabitjen e një gjeneratori - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Vjedhjen e Agregatit dhe 70 Eurove

Avdullah Leci, Ekrem Rexhepi dhe Bastri Tashevci po përballen me akuzat e Prokurorisë për veprën penale të vjedhjes grabitqare të një gjeneratori si dhe 70 eurove.

Në Gjykatë u mbajt shqyrtimi i dytë, ku mbrojtja e të akuzuarve elaboroi kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Avokati i Ekrem Rexhepit, Zenel Kelmendi, si dhe avokati i Bastri Tashevcit, Ahmet Tahiri, në formë të shkruar kishin parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Avokati sallë të Gjykatës elaboroi këtë kërkesë, ku deklaroi se aktakuza e Prokurorisë është mbështetur vetëm në deklaratën e të dëmtuarit.

“Cilësimi i kësaj vepre penale është i gabuar, sepse nuk ka të bëjë me vjedhje grabitqare, pasi i mbrojturi im fare nuk ka marrë pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale”, shtoi avokati, duke propozuar që vepra penale të rikualifikohet në atë të mashtrimit.

Ndërkaq, avokati i Avdullah Lecit, Aziz Rexha, nuk ka parashtruar kërkesë të shkruar për hedhje të aktakuzës.

Avokati i të akuzuarit Avdullah Leci, Aziz Rexha i propozoi Gjykatës që të bëhet ricilësimi i veprës penale në rast se nuk hedhet aktakuza.

“Këtu bëhet fjalë për marrjen e një agregati. Jemi dakorduar që ta pranojmë si vjedhje e asgjë tjetër send. Po mendoj me e thjeshtësu akuzën edhe me kry. Përndryshe, nëse shkojmë më andej unë kam prova për të propozuar. Prokurorja ta shqyrtojë mundësinë e shqyrtimit të aktakuzës”, theksoi avokati.
Pas fjalës së avokatëve, fjalën e mori prokurorja Besa Limani.

“Lidhur me kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës, konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara në ligj për faktin se vepra penale për të cilën janë akuzuar të pandehurit përbën vepër penale të vjedhjes grabitqare për të cilën edhe janë akuzuar”, tha Limani, duke propozuar që të vazhdohet me caktim të shqyrtimit gjyqësor e të mos hidhet aktakuza.

Në fund të seancës kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, refuzoi si të pabazuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme në bazë të të cilave ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Kështu, rrjedhimisht edhe u konfirmua aktakuza e Prokurorisë ndaj tre të akuzuarve dhe pasi që avokatët deklaruan se nuk do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, gjykatësi Kashtanjeva caktoi seancën e radhës ku do të fillohet me shqyrtim gjyqësor.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit janë zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes në grup ashtu që kanë përdorur forcën duke sulmuar trupin e personit tjetër.

Ngjarja sipas aktakuzës ka ndodhur më 22 dhjetor të vitit 2017 rreth orës 00:30 minuta, në fshatin Prugovc të Prishtinës, te sera për kultivimin e luleve, pronë kjo e të dëmtuarve Gëzim Dragusha dhe Leart Dragusha.

Prokuroria pretendon se kur i dëmtuari Leart Dragusha është kthyer nga vendi i tij i punës në Prishtinë dhe kur kishte shkuar në serë për ta kontrolluar, papritmas ka hasur në tre të pandehurit të cilët ishin me maska në fytyrë dhe kur i dëmtuari ka kuptuar se ata kishin hyrë për të vjedhur është përleshur me ata, ku i pandehuri Avdullah Leci e ka goditur me grushte në fytyrë, ndërsa i pandehuri Ekrem Rexhepi nga pas e kishte goditur me boks në kokë, me ç‘ rast i dëmtuari është rrëzuar në tokë dhe ka humbur vetëdijen duke mbetur i shtrirë për 40 minuta. Pastaj të pandehurit nga xhepi ia kanë marrë të dëmtuarit portofolin me 70 euro, agregatin e tipit “Lombardini” në vlerë prej 1200 euro, një “brusalicë” dhe një turjelë, pronë e të dëmtuarve- dëshmitarëve Arsim dhe Leart Dragusha, pastaj kanë ikur nga vendi i ngjarjes me automjet të tipit “Pick Up”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të dëmtuarit Dragusha më vonë i është dhënë ndihmë mjekësore nga ndihma e shpejtë pasi ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa gjatë hetimeve dhe kontrollimeve të Policisë, te shtëpia e të pandehurit Ekrem Rexhepi kanë gjetur dhe sekuestruar agregatin e tipit “Lombardini”.

Me këtë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale vjedhje grabitqare.