Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dalin para Gjykatës së Apelit katër të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares

Ekrem Rexhepi dhe tre të miturit G.R., Gj.J dhe Xh.S. që përbëjnë grupin e parë të të akuzuarve në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, kanë dalë të mërkurën para gjykatës së Apelit.

Gjykata e shkallës së parë në shkurt të këtij viti kishte marrë vendim duke i shpallur fajtorë të akuzuarit dhe duke i shqiptuar dënim me gjithsej 40 vite burgim.

Të njëjtit akuzohen se në verën e vitit të kaluar kanë qenë të përfshirë në dhunimin e vajzës 11-vjeçare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh. S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Gjykata Supreme kishte liruar në muajin maj nga paraburgimi tre të miturit me inicialet G. R., Xh. S. dhe G. J., të cilët ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës për dhunimin e 11-vjeçares me gjithsej 25 vjet burgim.

Të njëjtit ishin liruar nga masa e paraburgimit vetëm deri sa të vendosej për vendimin e shkallës së parë nga instancat më të larta gjyqësore.

Por me vendimin e shkallës së parë nuk janë pajtuar të gjitha palët në procedurë dhe të njëjtit kanë bërë ankesë kundër këtij vendimi.

Avokatja mbrojtëse e të dëmtuarës, Alma Koljenoviq konfirmoi për Kallxo.com se ankesa e palës së dëmtuar bazohet në konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Për KALLXO.com, avokati i Ekrem Rexhepit, Fitim Limani kishte konfirmuar që ankesën kundër vendimit të shkallës së parë e kanë bazuar në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal.

“Ankesat i kemi dërguar për shkelje esenciale të kodit të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal…” – kishte konfirmuar Limani për KALLXO.com.

I njëjti shtoi tutje se të gjitha palët në procedurë kanë bërë ankesa kundër vendimit të shkallës së parë.

“Krejt kanë bërë ankesë. Edhe prokuroria ka bo ankesë” – tha Limani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh.S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, vajzën 11-vjeçare e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R dhe Xh.S e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.