Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Rasti i 11-vjeçares, arsyetimi i Apelit për prishjen e aktgjykimit dënues

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka anuluar aktgjykimin dënues të Themelores të datës 24 shkurt të këtij viti me të cilin katër të akuzuarit i kishte gjetur fajtor duke i dënuar me 40 vite dënim me burgim, pas ankesës së Prokurorisë së Prishtinës dhe mbrojtësve të të akuzuarve në rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Apeli ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është i paqartë, Gjykata Themelore nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte i ka konsideruar të vërtetuara.

Kështu duke u përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të dispozitave të kodit të procedurës penale dhe vërtetim i gabuar edhe jo i plotë i gjendjes faktike.

“Po ashtu si rezultat i këtyre shkeljeve, përkatësisht mos dhënies së arsyeve të qarta lidhur me faktet vendimtare, ka ardhur edhe deri tek vërtetimi i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, ngase gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur t`i vlerësoj provat kruciale në këtë çështje penale, dhe atë elementin subjektiv të kësaj vepre penale si dhe rrethanat e tjera vendimtare që e formatojnë figurën e veprës penale për të cilën i akuzuari dhe të miturit janë shpallur fajtor dhe gjykuar nga gjykata e shkallës së parë, si dhe në formën cilësuese të kësaj vepre penale, përkatësisht të të qenurit në dijeni nga i akuzuari dhe të miturit për moshën e të dëmtuarës…”, thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje, sipas Apelit vendimi dënues për Ekrem Rexhepin i cili ishte dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili, nuk ishin vlerësuar me saktësi provat kundërthënëse.

“Aktgjykimi i ankimuar është i pa qartë, gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte i ka konsideruar të vërtetuara apo jo, nuk ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse”- thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje Apelit ka vlerësuar se në vendimin e shkallës së parë nuk janë dhënë arsyet e bazuara për vendosjen e kësaj çështje në fjalë. I njëjti vendim ka kundërthënie për faktet vendimtare ndërmjet asaj që është dhënë në arsyetimin e Aktgjykimit dënues dhe përmbajtjes së shkresave dhe procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë penale.

Kundërthëniet sipas Apelit qëndrojnë në rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprave penale dhe përgjegjësive penale të të akuzuarve dhe të të miturve si dhe në rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarve dhe veprës së tij.

Kujtojmë që katër të akuzuarit e këtij rasti, me 24 shkurt të këtij viti ishin dënuar me 40 vjet burgim, tre prej tyre të mitur, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Ekrem Rexhepi ishte dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G. R. me 9 vjet burg kurse G. J. dhe Xh. S. me nga 8 vjet burg secili. Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Sh. K., mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Sh. K. dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në gusht të vitit 2022.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G. J. dhe Xh. S., e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G. J. e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh. S. ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G. R. që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G. J. ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G. R. dhe Xh. S. e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11 vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku dy të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G. J. i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

Sipas aktakuzës, rreth orës 22:41, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër Sh. K., duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, që më pas i’a ka huazuar veturën ku edhe i akuzuari K. e ka dhunuar seksualisht të miturën.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.