
Gjykata Supreme liron nga paraburgimi tre të miturit e dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares
Gjykata Supreme ka liruar sot nga paraburgimi tre të miturit me inicialet G.R., Xh.S. dhe G.J., të cilët ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës për dhunimin e 11-vjeçares me gjithsej 25 vjet burgim.
Të njëjtit janë liruar nga masa e paraburgimit vetëm deri sa të vendoset për vendimin e shkallës së parë nga instancat më të larta gjyqësore.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com avokati i G.R., Besnik Beqiri.
Ai tregoi se ku është bazuar Gjykata Supreme për këtë vendim.
“Për shkak se me kodin e drejtësisë për të mitur, një i mitur mundet me qëndru në paraburgim pa vendim të formës së prerë deri në 180 ditë, kështu që Gjykata Supreme i ka liru derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë” – tha Beqiri.
Kolegji i gjyqtarëve të kësaj çështjeje përbëhet nga Afrim Shala – kryetar, Valdete Daka dhe Agim Maliqi – anëtarë.
Gjykata e Prishtinës ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht të vitit 2022.
Ekrem Rexhepi është dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R. me 9 vjet burg, kurse G.J. dhe Xh.S. me nga 8 vjet burg secili.
Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.
11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht 2022. Për këto dy raste janë arrestuar 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.