Gjykimi për dokumentin | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Dokumentin e Falsifikuar në Arkivin e Prishtinës

Naim Shasivari e Nexhmije Krasniqi akuzohen se kanë shfrytëzuar pozitën e tyre në Arkivin Komunal e Ndërkomunal të Prishtinës për të mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit së dobisë pasurore.

Akuza ka të bëjë me “Marrëveshjen e Arondimit”, një dokument që në aktakuzë thuhet se ishte i falsifikuar, dokument ky i vitit 1964, përmes së cilës tani i ndjeri Mirosllav Joksimoviq ka arritur të bartë ngastra të dikujt tjetër në pronë të tij.

Arondimi ekziston kur në mes të një toke në pronësi shtetërore, ekziston tokë me pronarë privatë.

Në pyetjen e gjykatësit Hamdi Ibrahimi, lidhur me deklarimin rreth fajësisë, që të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Absolutisht i pafajshëm”, tha Naim Shasivari dhe “shumë e pafajshme” tha se ndihet Nexhmije Krasniqi.

Mbrojtja paralajmëroi paraqitjen e kundërshtimit të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

“Deklarojmë se do t’i parashtrojmë kundërshtimet për hedhjen e aktakuzës, arsyetimet do të prezantohen në kërkesë”, tha avokati mbrojtës i Shasivarit, Asdren Hoxha.

Shasivari akuzohet se në pozitën e shefit të sektorit të depos në Arkivin Komunal të Prishtinës, në dhjetor të vitit 2016 nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, ashtu që ka pranuar dokument të falsifikuar, Marrëveshjen e Arondimit.

Ky dokument pretendohet të jetë pranuar pa u përfillur procedurat, e pa procesverbal, si dhe sipas aktakuzës, me kërkesë të tani të ndjerit Mirosllav Joksimoviq, i është dërguar të njëjtit një kopje e këtij dokumenti.

Prokuroria pretendon se i ndjeri Joksimoviq mbi bazën e këtij dokumenti të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, ndonëse ngastrat i takonin ndërmarrjes Bujqësore “Ratar” të Llapllasellës me të cilat prona ka administruar Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Vendimi i falsifikuar është gjetur në dhjetor të vitit 2016 në Arkivin Komunal në Prishtinë dhe është sekuestruar nga ana e policisë.

Ndërsa, gjithnjë sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi akuzohet se në pozitën si ndihmëse arkiviste dhe duke ushtruar pozitën e shefes të depos, kur i është kërkuar nga Zyra Kadastrale e Komunës së Prishtinës verifikimi i vendimit të lëshuar të dokumentit të falsifikuar, i kishte kthyer përgjigje me shkrim se lënda nuk gjendet në dosjet e arkivit në fjalë.

Por, pas kontrollimit nga ana e policisë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale e Marrëveshjes së Arondimit.

E akuzuara Krasniqi të njëjtin dokument në vitin 2014 ia kishte gjetur dhe ofruar palës Vanka Stojanoviq, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit Mirosllav Joksimoviq.