Gjykata e Prishtinës vendos për të arrestuarin në Ferizaj, i kërkuar për vrasjen në Oslo

I kërkuari për vrasje, tentim vrasje e përdorim të armës, Visar Avdyli, i cili u arrestua më 21.02.2024 në Ferizaj nga Policia e Kosovës ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për shkak se prokuroria ka kërkuar që ndaj të njëjtit të caktohet masa e paraburgimit.

Më 22.02.2024 Gjykata e Prishtinës ka caktuar paraburgimin prej 40-ditësh për të dyshuarin.

Visar Avdyli, 34-vjeçar u arrestua më 21.02.2024 pasi ndaj të njëjtit ekzistonte një urdhër arrest ndërkombëtar nga Norvegjia për një vrasje e cila ka ndodhur në tetor të vitit 2021 në Oslo.

I dyshuari dhe avokati i tij në bazë të vendimit të gjykatës që ka siguruar KALLXO.com, kanë kundërshtuar kërkesën e paraburgimit.

Mbrojtësi i të kërkuarit Visar Abdyli, Kadri Mjekiqi ka deklaruar në seancën e sotme se janë në pozitë të pabarabartë për shkak se nuk kanë pranuar asnjë dokument tjetër përveç kërksës për paraburgim, ndërsa klienti i tij ka mohuar se është i përfshirë në ngjarjen në Oslo.

“Në këtë rast dhe për këtë arsye nuk kemi dyshim të bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale.Ai ka banuar me qira nëpër vende të ndryshme dhe asnjëherë nuk ka pranuar thirrje për tu përtjigjur”- ka thënë avokati Mjekiqi.

I kërkuari Visar Abdyli ka deklaruar se deri para një viti nuk ka qenë në dijeni se ka qenë në kërkim nga policia.

Të paktën kështu ka konfirmuar edhe avokati i tij i cili gjatë seancës përmendi faktin se nga tetori i vitit 2021 Visar Avdyli është në Kosovë dhe sipas tij, asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë.

I arrestuari në Ferizaj për vrasjen në Oslo dërgohet në Burgun e Dyzit