Dështon nisja e rigjykimit ndaj ish-drejtorit të sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi

Ish-drejtori i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marigona Berisha e akuzuar për falsifikim të dokumenteve u paraqitën edhe një herë në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Për dallim nga tre të akuzuarit në seancë prezent nuk ishin prokurori i krimeve të rënda, Zejnullah Gashi dhe i akuzuari Ardian Krasniqi, shkak i mungesës së tyre u pamundësua që të filloj procesi gjyqësor ndaj tyre në rigjykim.

Sipas Gjyqtarit të çështjes, Alban Ajvazi, prokurori kishte njotuar përmes rrugëve zyrtare se nuk mund të prezentojë në këtë seancë për arsye shëndetësore, ndërsa i akuzuari Ardian Krasniqi sipas njoftimit për policinë që e kanë dhënë familjarët e tij kanë thënë se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Paraprakisht, Gjytari Ajvazi njoftoi palët që për të akuzuarin Ardian Krasniqi kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim për seancën e sotme, ndërsa pas mungesës në këtë seancë gjyqtari tha se do të lëshoj urdhërarrest për të njëjtin.

Prezent në sallë nuk ishte as dëshmitari bashkëpunues, B. M.

Kujtojmë se ish-drejtorit të sekretariatit të KPK-së Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha, dhe Ardian Krasniqi nga gjykata themelore ishin gjetur fajtor për veprat që rëndonin mbi ta.

Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare në mars të këtij viti.

Por që shkalla e dytë kishte marrë vendim që ta kthej në pikën zero, për rigjykim.

KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi marsin e vitit 2021, Lavdim Krasniqi që atëherë mbante postin e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.