Gjykimi ndaj dy policëve për keqpërodrim të detyrës drejt fundit

Prokuroria kërkon dënimin e policëve që akuzohet se lëshuan një automjet të vetaksidentuar e që rezultoi i pazhdoganuar. Dy zyrtarët Policor Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi po akuzohen se gjatë orarit të punës, keqpërdorën pozitën e tyre zyrtare si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në përfundim të gjykimit, pas zhvillimit të të gjitha seancave gjyqësore, prokuroria kërkoi që të njëjtit të dënohen, pasi që sipas prokurores Ervehe Gashi, të njëjtit kanë dështuar të përmbushin detyrat e tyre që kanë qenë të obliguar si zyrtarë policorë.

Mbrojtësit e tyre, avokatët Asman Hoxha dhe Arben Ramadani, të cilët ishin të bindur se të mbrojturit e tyre kishin përmbushur të gjitha obligimet ligjore që u takojnë, dhe se nuk kanë kryer kurrfarë vepre penale siç pretendon Prokuroria.

Aktakuza e Prokurorisë së Prizrenit, i ngarkon zyrtarët policorë Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, se si pjesëtarë të Policisë së trafikut rrugor në Prizren, Tafolli  dhe Krasniqi,  në vitin 2017 gjatë orarit të punës, pasi që fillimisht sekuestrojnë një veturë e vetaksidentuar, të njëjtit duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, nuk hapin rast për vetaksident, dhe  e lirojnë të njëjtën veturë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e njëjta veturë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor Prizren, për zhdoganim, raporton KALLXO.com.

Prokurorja Gashi, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi, që gjatë marrjes së vendimit të ketë parasysh të gjitha provat dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë këtij gjykimi, të cilët sipas saj, e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve në fjalë.

Prokurorja Gashi, ka thënë se në këtë rast të akuzuarit në fjalë, kanë bërë favore në ditën kritike që siç tha ajo, nuk kanë shqiptuar tiketë të kundërvajtjes ndaj drejtuesit të automjetit të pazhdoganuar.

“Fakti se të akuzuarit nuk e kanë ditur së automjeti ka qenë i pa zhdoganuar, gjykata nuk duhet t’ia falë besimin, pasi që në deklaratën e dëshmitarit Flamur Kuqi, thuhet se ai u ka treguar atyre se ajo veturë është e pa zhdoganuar”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo ka thënë se në ditën kritike të akuzuarit nuk e kanë përmbushur as detyrën e tyre themelore, me të cilën, sipas prokurores, ata kanë dështuar ta bëjnë identifikimin e personit të hasur në vetaksident, i cili sipas shkresave të lëndës nuk ka pasur dokumentacion identifikues, duke e lejuar atë të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa avokatët e kundërshtuan prokuroren duke thënë se pretendimet e saj për veprën penale që ju ngarkohet dy zyrtarëve policorë janë të pabaza dhe të paarsyeshme.

Mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Tafolli, avokati Arben Ramadani nga gjykata ka kërkuar që të merret aktgjykim lirues.

“I mbrojturi im në ditën kritike i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura që kanë të bëjnë me detyrat e tij zyrtare, në të cilën e ka bërë fotografimin nga vendi i ngjarjes”, ka thënë avokati Ramadani.

Flurim Tafolli nuk kishte shumë për të shtuar pos që tha se  të gjitha veprimet që i kishte ndërmarrë kanë qenë në kuadër të ligjit që e obligon atë.

Avokati Asman Hoxha, deklaroi se akuzat e Prokurorisë janë të paqarta dhe të pabazuara, sepse sipas tij në rastin konkret nuk ka pasur vepër penale, por rasti duhej të vazhdohej me procedura administrative dhe procedura të brendshme policore.

“Prokuroria në asnjë moment nuk ka arritur të tregojë dhe të paraqes se me cilat veprime të akuzuarit i kanë tejkaluar apo e kanë keqpërdorur detyrën e tyre. Andaj kërkoj nga gjykata që në matjen dhe shqiptimin e dënimit, ndaj të akuzuarve të merr aktgjykim lirues”, ka thënë avokati Hoxha.

Trupi gjykues me kryetare Ajser Skenderi dhe anëtarët Luan Berisha e Xheladin Osmani caktuan ditën e mërkurë, me datë 03 prill, kur të akuzuarit do të mësojnë vendimin e gjykatës.