Gjykimi ndaj policeve te akuzuar se liruan veturen e aksidentuar e cila rezultoi e pazhdoganuar- 31.10.2018 - FOTO KALLXO

Gjykimi ndaj policëve të akuzuar se liruan veturën e aksidentuar e cila rezultoi e pazhdoganuar

Dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë kanë dalë sot para gjykatës.

Pas leximit të aktakuzës, dy të akuzuarit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale që u ngarkohet nga Prokuroria.

Në seancën e sotme pas fjalëve hyrëse të Prokurore Ervehe Gashi, avokatëve mbrojtës Arben Ramadani dhe Asman Hoxha kanë dhënë dëshmitë e tyre tre dëshmitarë.

Mirëpo njëri prej dëshmitarëve, Afrim Jashari për shkak të lidhjeve të gjakut me të akuzuarin Rexhep nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me çështjen dhe është liruar nga dhënia e dëshmisë.

Dëshmitari Ilir Jashari, deklaroi se ditën kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë së bashku me disa persona tjerë në kafiterinë “Lion” në Shirokë, bashkë në tavolinë me të ka qenë edhe Afrim Jashari, i cili është shef i tij, dhe se kanë biseduar rreth punës.

Më vonë sipas dëshmisë së Ilir Jasharit atyre ju kanë bashkangjitur dy të akuzuarit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi. Dëshmitari Ilir Jashari deklaroi para gjykatës se nuk i ka dëgjuar se për çka kanë biseduar me dëshmitarin tjetër Naser Jasharin.

Më tutje Jashari deklaroi se nuk i kujtohen saktësisht detajet e asaj dite, dhe se të akuzuarin Flurim Tafollin vetëm e kishte parë tek largohej nga tavolina e tyre, së bashku me një person tjetër, duke biseduar diçka, por që nuk i ka dëgjuar se çka bisedonin teksa largoheshin.

Ndërsa dëshmitari Naser Jashari, deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna në IPK dhe në Prokurori, dhe se nuk ka çka të shtojë tjetër lidhur me çështjen.

Në përfundim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Tafolli, avokat Arben Ramadani, propozoi që të ftohet si dëshmitar kapiteni Sabit Kabashi, ish komandant i Trafikut Rajonal Prizren, në mënyrë që të sqarohet rreth punës së zyrtarëve Policor, për kompetencat e tyre dhe fushëveprimin e tyre. Sipas mbrojtësit dëshmitari do të saqrojë se ”…a ka raste të ngjashme që mund të trajtohen sikurse rasti të cilin e kanë trajtuar ditën kritike të akuzuarit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi”.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi, dhe gjykatësit Xheladin Osmani dhe Luan Berisha si anëtarë, e refuzuan propozimin e tillë me arsyetimin se ”…vet dëshmitari i propozuar respektivisht kapiten Sabit Kabashi, vet ka iniciuar çështjen dhe se dëshmitari nuk është i thirrur për atë që të jep përgjigje se a kanë qenë në fushëveprim të kompetencave të tyre të akuzuarit, dhe se veprimet të cilat i kanë ndërmarr a paraqesin, apo nuk paraqesin vepër penale, për atë vendosim ne trupi gjykues”, deklaroi kryetarja Skenderi.

Ndërsa sa i përket asaj që dëshmitari të deklarohet se a ka raste të ngjashme të cilat mund të trajtohen sikurse rasti të cilin e kanë trajtuar këtu të akuzuarit, gjykatësja Ajser Skenderi, deklaroi se ”…nuk ka të bëjë fare me çështjen që është duke u gjykuar pasi që secili rast është specifik në vete”.

Seanca e radhës u caktuar për datë 04 dhjetor, ku do të dëgjohen edhe 3 dëshmitarë tjerë, sipas propozimit të aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Themelore në Prizren, i ngarkon të akuzuarit, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse e njëjta ka rezultuar e pa zhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. Sipas aktakuzës dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi në këtë formë kanë kryer veprën penale të keqpërdorim të autoritetit apo detyrës zyrtare.