Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Gjykata e Apelit e lë në paraburgim shtetasin turk

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e shtetasit turk, Y.D, duke e lënë kështu në paraburgim sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Në një njoftim për media të Gjykatës së Apelit bëhet e ditur se Y.D dyshohet për kontrabandim me migrantë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit  prej një muaji, ndaj të pandehurit Y.D, shtetas i Republikës së Turqisë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në këtë formë,  kolegji i kësaj gjykate, e  ka refuzuar ankesën e avokatit mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 02.05.2018.

Në njoftimin e Apelit bëhet e ditur se Y.D  dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale kontrabandim më emigrantë nga neni 170 paragrafi 1. të  Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë, drejt ka gjetur se meqenëse ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tij, konform dispozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Apelit.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’