Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, Foto: REL/RFE

Gazetares së REL-it, Kurmasheva, i zgjatet paraburgimi në Rusi

Një gjykatë në Rusi më 01.04.2024 ia zgjati paraburgimin gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, deri më 5 qershor, raporton Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë.

Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e kaluar dhe u akuzua se nuk është regjistruar si agjente e huaj sipas një ligji ndëshkues rus që shënjestëron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerë.

Ajo gjithashtu akuzohet për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtore.

Radio Evropa e Lirë dhe qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Ajo kishte udhëtuar në Rusi për të vizituar dhe për t’u kujdesur për nënën e saj të moshuar dhe fillimisht u ndalua teksa priste fluturimin e saj të kthimit më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku iu konfiskuan pasaportat amerikane dhe ruse.

Shumë kritikë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se i ashtuquajturi ligj i agjentëve të huaj përdoret nga Kremlini për të goditur çdo disident.

Moska gjithashtu është akuzuar për arrestimin e amerikanëve për t’i përdorur si pazare për t’i shkëmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Në shkurt, 23 vende e nominuan Kurmashevën për Çmimin Botëror të Lirisë së Shtypit të UNESCO/Guillermo Cano 2024.

Çmimi, i krijuar në vitin 1997, është një çmim vjetor që nderon një person ose një grup njerëzish që japin një kontribut “të shquar” në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit në të gjithë globin, pavarësisht nga “rreziku dhe persekutimi” me të cilin përballen./REL