Mbjellja e luleve në Gjilan- Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani shënon Ditën e Tokës me mbjelljen e luleve

Me mbjelljen e luleve në qendër të qytetit, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ‘Cambridge School’ në Gjilan, në formë simbolike kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

I pari i Gjilanit ka njoftuar se aksioni i gjelbërimit të qytetit dhe fshatrave do të vazhdojë për pesë javë, duke ftuar edhe shoqatat, organizatat, dhe institucionet tjera që veprojnë brenda dhe jashtë Gjilanit që t’i bashkëngjiten aksionit.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, së bashku me iniciativën e Cambdridge School Gjilan, filluam aksionin për mbjelljen e luleve dhe gjelbërimin e zonës urbane. I ftoj edhe Këshillat e Fshatrave, shoqatat e bashkatdhetarëve tanë si 17 Shkurti, Pogragja, 2 Prilli,  organizatat tjera, biznesin privat, shkollat dhe ambullantat, që ta vazhdojmë këtë aksion pesë javor, në mënyrë që qytetit tonë t’i japim një pamje krejt tjetër, duke bërë kënde të gjelbërta në qytet dhe fshatra. Pak angazhim që ta bëjmë Gjilanin qytet të luleve”, ka thënë Haziri. ​