16 Muaj pa Vrasje në Pejë

Siguria në këtë qytet është rritur, por tash vjedhjet e shumta janë shqetësim për pejanët.

Komandanti i Stacionit Policor të Pejës, Ndue Nikolla në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi  tha së janë bërë 16 muaj pa vrasje në qytetin e Pejës.

“Gjatë këtyre katër muajve të vitit 2016 e deri me tani nuk kemi pasur të raportuara raste të rënda të cilat do të ndikonin në imazhin dhe në gjendjen e sigurisë. Këtu e kam fjalën për rastet e vrasjeve, domethënë viti 2015 dhe viti 2016, tash e gjashtëmbëdhjetë  muaj Peja vazhdon të mbretëroj pa asnjë rast të vrasjeve.

Komandanti tha se Pejës i është kthyer qetësia.

“Pra Komunës së Pejës tashmë ju ka kthyer dukshëm qetësia dhe siguria e qytetarëve në komunën tonë është dukshëm me e mirë. Kjo gjendje e mirë dhe stabile e sigurisë  është falë angazhimit të policisë, përkushtimit të tyre dhe bashkëpunimit të mirë me gjithë qytetarët, pa dallim,” njoftoj kreu i Stacionit Policor të Pejës.

Gjatë raportimit për gjendjen e sigurisë, Komandanti  i Stacionit Policor në Pejë tha së gjatë katër muajve të këtij viti kanë ndodhur dy vetëvrasje.

Në Pejë pas luftës dhe para periudhës së fundit 16 muajshe ndodhën shumë vrasje, ndërsa qytetarët disa herë protestuan për siguri.

Protestuesit në Pejë Kërkojnë Dorëheqjen e Zyrtarëve të Sigurisë (TV)

http://kallxo.com/peja-ne-proteste-kunder-plumbave-ne-feste/

Ai tha së shqetësimi kryesor i banorëve të Pejës mbeten vjedhjet e shpeshta të cilat kanë ndodhur.

“Kemi rritje të lehtë të veprat penale kundër pasurisë, nga 327 sa kanë qenë, tani janë 388. Grabitje kanë qenë 5 për periudhën e njëjtë kohore, tani kemi 5. Vepra penale të armëve kanë qenë 25, tani kemi 29,” tha Nikolla.

Në Pejë sipas Nikollës problem po paraqesin edhe zënia e trotuareve nga makinat në qytet dhe parkingjet ilegale në rrugë.