Policët e akuzuar për marrje ryshfeti - Foto: KALLXO.com

Gazetari Dëshmon për Marrjen e Ryshfetit nga Policët

Alban Selimi, ish-gazetari i emisionit “Drejtësia në Kosovë“ ka dëshmuar për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës në gjyqin ndaj ish-policit, Veton Gashi, i cili bashkë me ish-kolegun e tij, Hidajet Krasniqi, akuzohen për marrje ryshfeti.

Një edicion i emisionit “Drejtësia në Kosovë“ i shtatorit 2012 çoi në ngritjen e aktakuzës kundër ish-policëve.

Gazetari Alban Selimi tha në seancë se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në vitin 2015 dhe se nuk ka diçka për të shtuar.

Ndryshimi i trupit gjykues në këtë rast bëri që dëshmitari Selimaj të ftohet të dëshmojë edhe një herë.

Selimi tregoi në gjykatore se si ai dhe redaksia e emisionit “Drejtësia në Kosovë” e kishin marrë informatën për mitmarrje nga policët dhe ky me stafin e tij menjëherë e kishin kontaktuar dhe intervistuar të dëmtuarin, duke realizuar pastaj edhe emisionin dhe lajmëruar Inspektoratin Policor të Kosovës për rastin.

Selimi po ashtu edhe sot deklaroi se ai dhe kolegët e tij nuk i kishin parë policët duke i marrë të hollat, mirëpo pasi që kanë marrë informacionin nga këtu viktima ata e kanë fotografuar bankënotën prej 100 eurosh, bankënotë e cila me vonë ishte gjetur nga Inspektorët Policorë në xhepin e njërit prej dy policëve.

Së bashku me Gashin i akuzuar për marrje të ryshfetit është edhe ish-polici Hidajet Krasniqi, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura për shkak se ai shpeshherë nuk paraqitej në gjykatore dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Dy policët sipas aktakuzës i kërkuan të dëmtuarit 300 euro që të mos i shqiptonin një gjobë trafiku.

“Më datën 18 qershor 2012 në fshatin Sllatinë, komuna e Fushë-Kosovës, policët e komunikacionit që ishin në patrullë, Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi, në emër të ryshfetit i kanë kërkuar të dëmtuarit Flamur Haziri 300 euro që të mos i shqiptonin gjobën në komunikacion, pas një gabimi të të dëmtuarit”, thuhet në aktakuzë.

Lidhur me pyetjen që ia bëri i akuzuari Gashi se a më ke parë mua duke i marrë të hollat nga i dëmtuari Flamur Haziraj, dëshmitari deklaroi se nuk e ka parë duke i marrë të hollat. Mirëpo tha se dy eprorë të Policisë i kanë thënë se paratë ndodheshin në xhepin e njërit nga dy policët.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të mbahet më 21 korrik 2016.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka raportuar edhe më parë, ndërsa ky është linku i emisionit të plotë.

Mitoja në Policinë e Kosovës

Policët u Zunë Duke Marrë Mito

Për të njëjtin emision gazetarët Kreshnik Gashi dhe Alban Selimi morën çmimin për hulumtimin televiziv kundër-korrupsion. Emisioni “Mitoja në Polici” ishte xhiruar nga kameramanët Valdet Salihu e Visar Kryeziu.

BIRN-i Nderohet për Gazetari Kundër-Korrupsion