Mbrohet në heshtje i akuzuari për vrasjen në tentativë të gazetarit Alban Selimi

Arsim Limani është ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat për vrasje të rëndë në tentativë të gazetarit Alban Selimi në mars të vitit 2023.

Në seancën e sotme ishte paraparë të bëhej dhënia e mbrojtjes nga i akuzuari, por ai shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje.

“I kam kuptuar të drejtat dhe dëshiroj të mbrohem në heshtje”- u shpreh i akuzuari Limani.

Përveç kësaj, në seancën e sotme u bë edhe administrimi i provave materiale me ç’rast u dhanë sqarime edhe rreth video incizimeve për të cilat ishte krijuar konfuzitet në seancën e fundit.

Rreth kësaj çështje prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila lëndën e ka trashëguar nga Ilaz Beqiri, tha se pasi ka biseduar me këtë të fundit ka kuptuar se në fakt kurrë nuk kanë ekzistuar dy CD me video incizime. Ndërsa, sipas saj, ka qenë gabim teknik që në aktakuzë janë propozuar dy CD.

Lidhur me këtë avokati Kujtim Kërveshi, i cili në këtë procedurë përfaqëson të dëmtuarin Alban Selimi, deklaroi se për këtë çështje i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Mbrojtja ju njofton se asnjëherë nuk ka pretenduar se ekziston video incizim i vendit të ngjarjes gjatë kryerjes së veprës penale, por incizimi i asaj nate për të cilin kemi informatë të saktë që policia e ka disponu e për çudinë tonë institucionale nuk e kemi atë CD”- u shpreh Kërveshi.

Përveç kësaj, avokati Kërveshi propozoi edhe disa fotografi të administrohen si prova materiale, propozim ky që u miratua nga Gjykata.

Në fotografi shihet shtëpia e të dëmtuarit pas zjarrit, njëra foto në natën kritike, kurse tjetra të nesërmen.

“Këto fotografi dëshmojnë para jush volumin e zjarrit dhe forcën që ka pasur, potencialisht ka pasur forcën për ta kapluar krejt shtëpinë”-  tha avokati Kërveshi.

Ky rast po gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda me trupin gjykues të kryesuar nga Medije Bytyqi, anëtarët Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datën 12 shkurt kur edhe pritet të thuhen fjalët përfundimtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në mars të vitit 2023 i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhit dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhin e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi, kështu duke jua rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, në kornizën e dritares i akuzuari paraprakisht kishte shkruar fjalët “Mos ha m** shumë”.

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK