Vrasja e rëndë në tentativë ndaj gazetarit, në gjykim flitet për zhdukjen e incizimeve
I akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë, Arsim Limani është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit lidhur me rastin e djegies së shtëpisë së gazetarit Alban Selimi.
Limani për dallim prej herave të tjera në këtë seancë nuk u pa duarlidhur, kjo pasi masa e paraburgimit të njëjtit i ishte zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak.
Me të filluar seanca ku ishte paraparë që të shikoheshin video-incizimet nga vendi i ngjarjes të natës kritike, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Kujtim Kërveshi kishte një kërkesë për trupin gjykues.
Kërveshi tha se një video-incizim nga vendi i ngjarjes nuk ndodhet në shkresa të lëndës. Kështu duke aluduar se të njëjtat ose janë zhdukur ose janë fshirë.
I njëjti kërkoi që procesverbali i seancës t`i dërgohet Kryeprokurorit të Shtetit për të ndërmarrë veprime ndaj kujtdo që ka pasur guximin për kontaminim të rastit.
“Këto që janë në këtë CD nuk janë file të cilët na kemi besu që janë files që do propozohen prej prokurorisë. Nuk janë incizime të cilat mbrojtja e të dëmtuarit beson se ato incizime ose janë humbur nga policia ose janë fshirë. Unë kërkojë që kjo Gjykatë këtë procesverbal t’ia kaloj Kryeprokurorit të Shtetit për të ndërmarrë veprime ndaj kujtdo që ka guxuar ta kontaminoj këtë rast penal duke qenë se njohuritë tona që nga faza e hetimeve kanë ekzistu incizime të cilat sot organi i akuzës nuk është në gjendje të na j prezantoj”- tha Kërveshi.
Prokurorja e cila është duke e përfaqësuar këtë lëndë tha se ka pranuar shkresat e procesit vetëm katër ditë para seancës. Javorka Perlinçeviq tha se nuk ka vërejtur nga procesverbalet e fundit fjalën CD.
Prokurorja kërkoi që të shtyhet seanca gjë e cila u aprovua nga gjykata pasi nuk kishte kundërshtime nga avokatët prezent.
“Pasi që unë e kam marrë lëndën para katër ditësh për me përfaqësu e kam shikuar dhe mungojnë disa shënime disa procesverbale, megjithatë askund se kam pa që përmendet fjala CD, me siguri e keni shqyrtuar por pa e përmend me procesverbal, tani kur e mora këtë shkresën dhe korrespodencën mes të paditurit dhe prokurorit në bazë të shënimeve të marrura nga policia del se policia nuk ka prova tjera”- tha prokurorja.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Limani, avokat Fanol Krasniqi tha se nuk e ka të qartë kërkesën e Kërveshit.
“Njoftimi i prokurorisë është që është tërheq prej këtij videoincizimi atëherë nuk është vlerësim kjo CD, përfaqësuesi le të sqaron çka po kërkon. Kamera nuk ka pas në vend të ngjarjes”- tha Krasniqi.
Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtarja Medie Bytyqi me anëtarët Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni.
Sipas dosjes së Prokurorisë, në mars të vitit 2023 i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhit dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhin e kanë përfshirë flakët.
Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke jua rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.
Ndërsa sipas aktakuzës, në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruar fjalët “Mos ha m** shumë”.
Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK