Zjarri në garazhin e gazetarit Alban Selimi, rrëfimi i babait të tij se si kishte vrapuar për të larguar nusen dhe fëmijët e të birit

Në rastin e vënies së zjarrit në garazhin e shtëpisë së gazetarit Alban Selimi, i akuzuari Arsim Limani është ballafaquar me dëshminë e babait të gazetarit, Rexhep Selimit.

Rexhep Selimi ka rrëfyer në gjykatë se si e kishte kuptuar se e kishte kapluar zjarri garazhin në shtëpinë e të birit.

I njëjti tha se kishte qenë në shtëpi duke ndenjur kur kishte dëgjuar disa trokitje në derën e shtëpisë dhe kishte parë dy gra të cilat i kishin thënë se shtëpia e djalit të tij po digjej.

Babi i gazetarit tha se i kishte thënë gruas së tij që ta thërras policinë dhe zjarrfikësit dhe menjëherë kishte vrapuar për në shtëpinë e djalit të tij.

“Unë jam kanë t’u pushu, kur ka kërsit dera, dy gra të mahallës kanë thanë shpija e Albanit po djeget”- tha Selimi gjatë dhënies së dëshmisë.

Dëshmitari tha se nuk e di se si ka qenë në gjendje që të vrapojë pasi e ka marrë lajmin.

“Çdo e keqe në befasi është trishtuese nuk e di as vet qysh kam ditë në ato momente të vrapoj për t’i tërhequr familjarët nga shtëpia, e di se fëmijët janë shqetësuar shumë por reja do të thotë nusja e Albanit, ajo dëneste nga vaji. Ishte moment shumë i rëndë” – tha tutje babai i gazetarit Alban Selimi.

Gjatë dëshmisë, Rexhep Selimi tha se kur kishte shikuar ta shihte zjarrin në garazhin e shtëpisë së birit, mendimi i parë që i ishte krijuar kishte qenë që zjarri ka ardhë nga motori i derës së garazhit.

Por që disa momente më pas kishte kuptuar që zjarri kishte filluar nga një shishe benzine.

Po ashtu, ai në gjykatë ka deklaruar se kishte raporte të mira me babain e të akuzuarit, Arsim Limani.

Seanca u ndërpre pasi prokurori Ilaz Beqiri kërkoi që të shtyhet seanca me qëllim që të kërkojë informacione nga hetuesit policor se a kishin pamje nga vendi se ku ka ndodhur rasti.

Këtë propozim të avokatit e kundërshtoi Fanol Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit, Arsim Limani, duke thënë se zyrtarët policorë e kanë sqaruar se nuk ka kamera në vendin e ngjarjes.

Në këtë rast Fanol Krasniqi, mbrojtësi të akuzuarit Arsim Limani, kërkoi që t’i zëvendësohet masa e paraburgimit në atë të arrestit shtëpiak, duke propozuar që si vendqëndrim për arrest shtëpiak të jetë një banesë e cila gjendet larg vendbanimit të të dëmtuarit.

“Propozoj për me iu ndërprerë paraburgimi meqenëse u konsideruar me u shty seanca me propozim të prokurorit dhe përfaqësuesit me qëllim që edhe më tej të rri Arsim Limani në paraburgim, konsideroj që tanimë duke u bazuar në këto propozime të palejume e në kundërshtim me provat që i posedon prokuroria, konsideroj që masa e paraburgimit mund t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak në tjetër lokacion, larg shtëpisë së të dëmtuarit e ku me këtë masë do të arrihet pa kurfar pengese prezenca e tij në gjykim”- tha avokati Kransiqi.

Edhe vet i akuzuari Arsim Limani kërkoi nga gjykata që t’i zëvendësohet masa duke premtuar që në tërësi do të respektojë urdhërat e arrestit shtëpiak.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Ilaz Beqiri dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Kujtim Kërveshi si dhe nga vetë gazetari Alban Selimi.

Gazetari Alban Selimi si arsye për mos ndërrimin e masës e tregoi edhe një ngjarje që kishte ndodhur me 30 gusht kur një veturë kishte ardhur para shtëpisë së tij duke bërë manovra të ndryshme. Këtë rast Selimi e kishte raportuar në stacionin policor në Fushë Kosovë.

“Me 30 gusht e kam lajmëruar stacionin policor në Fushe Kosovë se rreth shtëpisë sime kishte ardhur një veturë diku mbas orës 12 të natës duke bërë manovrime pikërisht ditën kur një person ishte jashtë veturës dhe kjo ka ndodhur ditën kur është konfirmuar,  ka dal në media që ndaj të njëjtit ishte konfirmuar aktakuza dhe se do të fillonte gjykimi dhe mendoj që kjo është e lidhur me këtë gjykim që ne jemi këtu, ka shkaktuar frikë, policia na kanë rujtur derën atë natë” – tha Selimi.

Trupi gjykuar me në krye Medie Bytyqi si kryetare mori vendim duke lënë në fuqi vendimin për lënie në paraburgim për të akuzuarin.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në mars të këtij viti i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhit dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhin e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke ua rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Ndërsa sipas aktakuzës, në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruajtur fjalët “Mos ha m** shumë”.

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.