Gjykata vendos ndaj të akuzuarit që i vuri zjarrin garazhit të gazetarit Alban Selimi

Arsim Limani është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vite burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm për djegien e shtëpisë së gazetarit Alban Selimi.

Aktgjykimi është shpallur të enjten më datë 15.02.2024 nga trupi gjykues me kryetaren Medije Bytyqi dhe anëtarët Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni, gjyqtarë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës.

Limani nga Prokuroria është ngarkuar me akuzat për vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa trupi gjykues në shpalljen e aktgjykimit ka bërë rikualifikimin e veprës në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Limani është akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë për rastin e djegies së shtëpisë së Alban Selimit më 16.03.2023.

Gjykimi kishte filluar më 06.09.2023, i akuzuari e kishe pranuar veprimin e vënies së zjarrit në shtëpinë e të dëmtuarit, por sipas tij nuk ka pasur qëllim të lëndoj askënd kurse veprimet e tij kishte deklaruar se i ka bërë me qëllim të lënies së një mesazhi.

Aktakuza ishte ngritur nga prokurori Ilaz Beqiri ndërsa lëndën e ka trashëguar prokurorja Javorka Perlinçeviq.

Sipas dosjes së Prokurorisë më date 16.03.2023 i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhës dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhën e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi kështu duke iu rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Ndërsa sipas aktakuzës në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruajtur fjalët “Mos ha m** shumë”.

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.

Gjatë procedurës së administrimit të provave ka pasur aludime nga avokati Kujtim Kërveshi, përfaqësues i Alban Selimit, për zhdukjen e disa video incizimeve.

Lidhur me këtë, në seancën e dhënies së mbrojtjes prokurorja e rastit ka sqaruar se nuk kanë ekzistuar kurrë dy CD me video incizime, por ka qenë gabim teknik.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK