Policët u Zunë Duke Marrë Mito

Shënim: Artikulli fillimisht është botuar më 09.09.2012 14:33:43

Një xhirim i Gazetës Jeta në Kosovë ka zënë dy policët e trafikut Hidajet Krasniqi e Veton Gashi të rajonit të Prishtinës duke marrë mito nga një qytetar i cili këtë rast nuk kishte guxim ta raportojë në polici.

Qytetari rrëfen se si dy policët i kanë kërkuar 300 euro mito në këmbim të lirmit nga dënimi.

Pas xhirimit të numrave serikë të parave të dorëzuara dhe përcjelljes së pamjeve, Inspektorati Policor i suspendon këta zyrtarë policorë dhe ngrehë kallëzim kundër tyre.

Ngjarja ka ndodhur më 18 qershor të këtij viti. Rreth orës 15 e 30 policët e kishin ndaluar këtë qytetar të ardhur nga diaspora, nga një shtet skandinav.

Sipas qytetarit, ai ishte ndaluar në dalje të Fushë Kosovë, në drejtim të Pejës, për shkak se kishte tejkaluar shpejtësinë. Mirëpo, thotë ai, pas një kontrolli, zyrtarët policorë i kishin gjetur atij edhe një sasi të vogël disa gramësh droge në automjetin e tij dhe mungesë siguracioni të veturës.

Sipas këtij qytetari, dy policët, për t’i mbyllur sytë para kësaj shkelje, i kishin kërkuar atij 300 euro mito. Pasi që ai nuk kishte para me vete, ata i kishin kërkuar që të shkonte në shtëpi për t’i marrë. Gjithnjë sipas qytetarit, policët, për t’i siguruar paratë, ia kishin konfiskuar të gjitha dokumentet kthimin e të cilave e kishin kushtëzuar me pagesën e parave.

“Për këta policë tashmë është dorëzuar një kallëzim penal në prokurori dhe të njëjtit do qëndrojnë të suspenduar deri në momentin kur për ta të nxirret një vendim nga ana e gjykatës” Jetullah Aliu

“Më kanë thënë që nëse do të shpëtosh prej kësaj situate duhesh të na sjellësh 300 euro”, rrëfen qytetari.

Ai ishte kthyer për t’ua dorëzuar policëve 100 euro pasi tha se 200 të tjera nuk kishte mundur t’i sigurojë.

Vendtakimi ishte në afërsi të urës së fshatit Vragoli, ku rreth orës 8 e 30 të mbrëmjes ekipi ynë arrin të xhirojë këta policë të cilët të uniformuar vozisnin një veturë pa shenja policie të Policisë së Kosovës.

Mirëpo, prezenca e disa makinave të tjera i shtynë policët që ta ndërrojnë vendtakimin për dorëzimin e parave, duke vazhduar kështu për tek ura në afërsi të Goleshit ku edhe i shkëmbejnë dokumentet e konfiskuara me paratë të cilat ua kishte sjellë qytetari.

Pas dhënies së mitos, qytetari sërish tregon detajet e transaksionit me policët. “Ma bënë me drita”, tha ai. “Shkova, u thash që i kam veç 100 euro. Më thanë bëj 200 bile, po u thash që nuk muj dhe mi kthyen disa prej dokumenteve”, thotë qytetari.

Disa dokumente nuk iu kthyen kurse ai heziton që këtë rast ta denoncojë në polici.

Raportimin e rastit në polici e bëri ekipi i gazetës, mirëpo çuditërisht raportimi me telefon në linjën 192 nuk has në një intervenim të shpejtë të policisë. Sipas rregullave të policisë, raportimi i rasteve të korrupsionit në Policinë e Kosovës duhet të kryhet në stacionet policore e jo nëpërmjet telefonit.

Për ta bërë këtë ekipi, ynë ka shkuar në stacionin policor të Fushë Kosovës, ku më pas me këtë rast fillon të merret Inspektorati Policor i cili vetëm një orë e katërdhjetë minuta pas denoncimit i ndalon policët. Në xhepin e njërit prej tyre gjejnë bankënotën 100 euroshe të cilën ata e kishin marrë nga qytetari.

Këtë e vërtetojnë edhe numrat serikë të banknotës. Për ta provuar këtë, Inspektorati Policor përdorë xhirimet ku shiheshin paratë dhe numrat serikë të tyre në duart e qytetarit.

Pas kësaj dy policët suspendohen për 48 orë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës.

Drejtori i hetimeve në Inspektoratin Policor, Jetullah Aliu, bëri të ditur se për këta policë tashmë është dorëzuar një kallëzim penal në prokurori dhe të njëjtit do qëndrojnë të suspenduar deri në momentin kur për ta të nxirret një vendim nga ana e gjykatës.

foto
Jetullah Aliu

 

Gazeta provoi të fliste me dy policët në natën e operacionit, por ata kundërshtuan të flasin.

Rastet kur policët e Kosovës hasen duke kryer vepra penale janë shtuar. Në fund të korrikut, Policia e Kosovës ka arrrestuar një polic tjetër për shkak se ai ishte përfshirë në kontrabandë me njerëz.

Po ashtu, gjatë hulumtimit të rastit të mitos, ekipi ynë ka hasur në shumë defekte dhe pengesa të cilat kanë mundur lirisht ta dështonin operacionin.

Së pari, qytetari frikësohej që të raportonte rastin në institucionet e vendit pasi që ishte kërcënuar se nëse këtë do ta bënte atëherë policët do merreshin personalisht me të.

Po ashtu në mesin e defekteve kanë qenë edhe vonesa e inspektorëve policorë për t’u paraqitur në vendngjarje. Këtyre të fundit u është dashur afër 40 mintua për të qenë operacional për shkak të mungesës së veturave.

Qytetari nga diaspora është intervistuar nga autoritetet. Policia nuk ka gjetur prova se në veturën e tij ka pasur drogë.

Hulumtimin gjerësisht mund ta ndiqni sonte, 9 shtator, prej orës 21:00 në RTK në emisionin Drejtësia në Kosovë.