Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit Selimi

Arsim Limani, i akuzuar për ‘vrasje të rëndë në tentativë’ ndaj gazetarit Alban Selimi në mars të vitit 2023, është ulur edhe të hënën (12.02.2024) në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e sotme palët kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq ka kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit me avokatin Fanol Krasniqi ka kërkuar që i akuzuari të lirohet nga akuzat sipas tij ‘në mungesë të provave’.

Sipas avokatit Krasniqi ky rast është i ndikuar nga mediat e nuk ka asnjë provë që vërteton dashjen e të akuzuarit për të kryer vrasje në tentativë

Ndërkaq sipas përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Kujtim Kërveshi, në këtë rast është vërtetuar elementi i dashjes nga ana e të akuzuarit.

Kjo, sipas tij, pasi që në momentin e vënies së zjarrit, i akuzuari ka besuar se të dëmtuarit janë në shtëpi pasi që e ka parë makinën e të dëmtuarit të parkuar para garazhës.

Të njëjtën tezë e mbështeti edhe vetë i dëmtuari Alban Selimi.

Sipas Selimit, i akuzuari ka tentuar të kryente vrasje mizore pasi që kishte besuar se ai së bashku me familjen e tij ka qenë në shtëpi e për këtë arsyeje ka djegur shtëpinë dhe jo veturën.

“Po të mos kishte qëllim kryerjen e vrasjes, ai shumë më kollaj do të digjte veturën e cila ka qenë e parkuar buzë rrugës dhe dëmet materiale do të ishin shumë të mëdha, dhe “porosia që ai thoshte se ka pasur qëllimin t’ma lë” do të shkonte gjithsesi në vendin e duhur”- tha Selimi.

Ai gjithashtu ka ngritur dyshime edhe për një dorë të fortë kriminale që sipas tij fshihet pas rastit, e që i akuzuari Limani vetëm është përdorur.

“Nuk kam asnjë dilemë që pas këtij sulmi fshihet një dorë e fortë kriminale e cila të akuzuarin e ka përdorur vetëm si një mjet për t’më hequr qafe mua dhe familjen time”.

Tutje avokati Kërveshi tha se ky veprim ka pasur cak sulmin ndaj lirisë së shprehjes së gazetarëve.

“Aktgjykimi juaj do të shërbejë jo veç tek i pandehuri por edhe shoqërisë për të gjithë ata që duan ta sulmojnë fjalën e lirë e deri në rrezikimin e jetës së një gazetari”- tha avokati Kërveshi para trupit gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Medije Bytyqi, me anëtarët Agim Kuqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më datën 15.02.2024.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në mars të vitit 2023 i akuzuari Arsim Limani ka tentuar të privojë nga jeta Alban Selimin përmes ndezjes së flakës në garazhin e shtëpisë së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Arsim Limani ishte afruar tek dera e garazhit dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhin e kanë përfshirë flakët.

Alban Selimi në kohën e kryerjes së veprës nuk ka qenë në shtëpi, kështu duke jua rrezikuar jetën bashkëshortes dhe fëmijëve të Selimit – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, në kornizën e dritares i akuzuari paraprakisht kishte shkruar fjalët “Mos ha m** shumë”.

Zjarri, sipas aktakuzës, është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK