Faqja e parë e gazetës "Informer" me akuzat për spiunazh.

Gazeta Proqeveritare Etiketon si 'Spiune' Aktivistet

Për dy ditë me radhë, faqet e para të “Informer” kanë paraqitur pretendimet e liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, se tri aktiviste femra të të drejtave të njeriut kanë kryer spiunazh në emër të Kroacisë dhe shërbimeve të inteligjencës të vendeve të tjera.

Ditën e martë, Shesheli pretendoi se Sonja Biserko, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Natasha Kandiq, themeluesja e OJQ-së Qendra për të Drejtën Humanitare, dhe Jelena Miliq, drejtoresha e Qendrës për Studime Euro-Atlantike në Beograd, ishin “spiunet më të mëdha” në Serbi.

“Natasha Kandiq mbledh dosje dhe të dhëna konfidenciale të cilat ajo ua jep kroatëve, në bazë të të cilave ata po ngrenë akuzat e tyre për krime lufte,” tha Shesheli për “Informer”.

“Miliq dhe Biserko merren me aktivitete armiqësore siç është prezantimi dhe përhapja e lajmeve të rreme dhe trazojnë publikun. Ato po marrin shumë para nga Perëndimi, nga NATO-ja,” tha ai.

Të mërkurën, poshtë titullit kryesor të faqes së parë “Luftë totale”, “Informer” citoi Kandiq të ketë thënë se ajo ka vite që mbledh prova për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Por ajo citoi përsëri Sheshelin, i cili këtë herë e përshkroi Kandiqin si “e shëmtuar” dhe “e sëmurë”.

Biserko tha për BIRN se aktivistët janë shndërruar në “të dyshuar të zakonshëm” kur vjen puna tek akuzat për tradhti, duke u shprehur se qeveria po përdor gazetat si propaganduese në përpjekje për të fshehur dështimet e saj.

“Këto gazeta janë të afërta me kryeministrin dhe ato fjalë janë thënë nga një njeri që u gjykua për fjalime urrejtjeje (Shesheli),” tha Biserko, duke u shprehur gjithashtu se presidenti serb Sllobodan Millosheviq e përdori Sheshelin si një mjet për të sulmuar armiqtë e tij në të njëjtën mënyrë.

Media nacionaliste në Serbi shpesh kanë akuzuar Kandiqin, Biserkon dhe Miliqin si “tradhtare” dhe si “mercenare të huaja”.

Më 16 gusht, “Informer” publikoi një listë prej pesë faqesh të OJQ-ve të themeluara nga Fondacioni Shoqëria e Hapur i George Soros nga 2011 deri në vitin 2014, me një kryeartikull në faqen e parë që thoshte: ‘Soros pagoi 391,940,146 dinarë (3.2 milionë euro) për kaos në Serbi.”

Miliq u përmend në listën e “Informer” në atë që ajo i quante “mercenarët e Sorosit”, pas të cilës ajo mori një sërë kërcënimesh, përfshirë kërcënime me vdekje.

Gazetat proqeveritare kanë publikuar një sërë artikujsh këtë verë ku janë shprehur se Uashingtoni dhe organizata me bazë në Shtetet e Bashkuara kanë rritur tensionet në Serbi në një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe të armiqësojnë Beogradin me Moskën.

Ka pasur gjithashtu artikuj nxitës për kërcënime të mundshme nga Kroacia ndërsa marrëdhënia midis Beogradit dhe Zagrebit është përkeqësuar.

Më 30 gusht, “Informer” publikoi një kryeartikull në faqen e saj të parë ku thuhej “Kroacia po përgatit Stuhia 2”, duke iu referuar operacionit “Stuhia” të Ushtrisë Kroate në vitin 1995, i cili shkaktoi një eksod në masë të dhjetëra mijëra serbëve nga vendi.