Frashër Krasniqi e Visar Ymeri - Foto: Facebook

Frashër Krasniqi e Visar Ymeri Bëhen Bashkë

Pak orë pasi është liruar nga paraburgimi, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, është takuar me ish-kryetarin e kësaj partie, Visar Ymerin.

Krasniqi ka publikuar një foto në profilin e tij në “Facebook”, ku shihet krah për krah me bashkëpartiakun e tij.

Gjykata e Apelit vendosi sot të lirojë nga masa e paraburgimit tre aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqin, Egzon Halitin e Atdhe Arifin.

Tre aktivistët e VV-së, si dhe Adea Batusha, janë dënuar me burgim nën akuzën se kanë sulmuar me antitank ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2016.

Ndaj dënimit të tyre janë ankuar edhe mbrojtja edhe Prokuroria.

KALLXO.com raportoi sot ekskluzivisht se Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes ta kthejë në rigjykim.