FOTO: Konfiskohen në pikën kufitare 23 kg narkotikë të fshehur në ‘Mercedes’

Policia kufitare shqiptare ka goditur një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike.

Në pikën kufitare Muriqan afër Shkodrës u arrestua në flagrancë shtetasi M.K., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi është paraqitur në P.K.K. Muriqan në dalje të Republikës së Shqipërisë, me mjetin e tij tip Benz, ku nga kontrolli i ushtruar në vijën e dytë u gjetën dhe u sekuestruan 23 kilogramë lëndë e dyshuar Cannabis Sativa

Gjithashtu në P.K.K. Muriqan u arrestuan shtetasit, E.M. 31 vjeç, banues në Durrës dhe A.B. 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës Shqipëri-Gjermani në sediljen e këtyre shtetasve, u gjet dhe u sekuastrua një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.

Policia e Shtetit njofton se materialet iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasit M.K., për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, ndërsa në ngarkim të shtetasve E.M. dhe A.B. u referuan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.