FOTO: Dëmtohet një klasë parashkollore në Kaçanik, reagon Komuna

Komuna e Kaçanikut nëpërmjet një reagimi në “Facebook” e ka dënuar dëmtimin e një klase në shkollën fillore në fshatin Bob.

“Persona të pandërgjegjshëm, kanë shkatërruar dhe thyer inventarin e klasës së parashkollorëve në shkollën fillore “Idriz Seferi” në Bob”, ka njoftuar Komuna.

Këtë akt e ka dënuar kryetari i kësaj Komune së bashku me drejtorin e Arsimit në Kaçanik.

“Ngjarjen nga afër e përcolli Kryetari i Komunës Besim Ilazi, i cili e dënoi këtë akt vandal, ndërsa tha se çdo akt i tillë ndaj institucioneve publike, dëmton rëndë edhe imazhin e vendit, ndërsa shpresoi në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit. Aktin vandal në shkollën e fshatit Bob, e dënoi edhe drejtori për Arsim dhe Kulturë Zahir Doda dhe drejtoresha Florije Berisha Zeneli, e cila tha se me rastin është njoftuar edhe stacioni i policisë në Kaçanik, i cili është duke shqyrtuar rastin”, thuhet në reagim.