Kuvendi i Kosovës - Foto: REL

Formimi i Komisionit për themelimin e Tribunalit për gjenocidin serb do të shqyrtohet në Kuvend

Ideja e Kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli për Themelimin e një Tribunali që do të merrej me gjenocidin serb në Kosovë, ka kaluar një hap tutje për tu diskutuar në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni ad-hoc, i formuar  për harmonizimin e qëndrimeve në lidhje me formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë pas disa mbledhjesh, ka miratuar propozim-vendimin i cili do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim.

Kështu ka bërë të ditur, kryetari i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Ky komision, që u formua pas iniciativës së Kryetarit të Kuvendit te Kosovës, z. Kadri Veseli, bëri hapin e parë në synimin tonë te përbashkët për të vendosur drejtësi ndërkombëtare për viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka falënderuar subjektet e tjera politike për bashkëpunimin.

“Si kryesues i këtij Komisioni, dëshiroj të falënderoj të gjithë anëtarët, nga të gjitha partitë politike, për punën e palodhshme dhe kontributin konstruktiv në finalizimin e Propozim – Vendimit, të cilin do ta procedojmë për votim në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas Krasniqit, dokumenti i harmonizuar është një bazë e mirë që Komisioni Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin dhe krimet e tjera të kryera nga Serbia në Kosovë të formohet shpejt dhe të bëjë një punë efikase në arritjen e “qëllimit tonë për të sjellë drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”.

Ndërkaq, në propozim-vendim është propozuar edhe përbërja e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, e që do të ketë përfaqësues të 16 institucioneve dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Sipas dokumentit, përbërja e Komisionit pritet të jetë kjo: Kryetari i Gjykatës Supreme – kryesues,  përfaqësues nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës – zëvendës-kryesues, përfaqësues nga Zyra e Presidentit të Kosovës – anëtar, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës – anëtar, përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit – anëtar, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë – anëtar, Përfaqësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës – anëtar, Përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës – anëtar, përfaqësues nga ASHAK – anëtar, përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës/ Fakulteti Juridik – anëtar, përfaqësues nga Instituti i Historisë – anëtar, përfaqësues nga KMDLNJ – anëtar, përfaqësues nga FDH – anëtar, përfaqësues nga Shoqatat e të Pagjeturve – anëtar, përfaqësues nga Shoqatat e dala nga lufta – anëtar, deri në tre ekspertë vendorë ose ndërkombëtarë të së drejtës humanitare ndërkombëtare që miratohen me pajtimin e shumicës së anëtarëve të tjerë.

Analistë politik dhe njohës të së drejtës kushtetuese në vend kishin thënë se  themelimi i një tribunali për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 vështirë se do të jetë i realizueshëm, për shkak të kompetencave të kufizuara të shtetit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe jo vetëm.

Veseli kishte prezantuar idenë duke theksuar se më shumë janë gjykuar krimet e kryera nga shqiptarët nëpër gjykata ndërkombëtare sesa krimet e kryera nga serbët. Gjykata e Specializuar në Hagë lidhur me krimet e luftës në Kosovë u votua në Kuvendin e Kosovës. Prokuroria e Specializuar atje deri më tani ka thirrë në intervistim rreth 10 ish komandatë të Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës.

Mohimi i krimeve të luftës nuk i ‘relakson’ raportet Kosovë-Serbi