Gjykimi i ish-inspektorqve | Foto: KALLXO.com

Fjala Përfundimtare në Gjykimin e ish-Inspektorëve të Prishtinës

Në gjykimin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës po jepet fjala përfundimtare.

Këtë fjalë aktualisht është duke e paraqitur prokurorja Drita Hajdari.

Ajo po kërkon që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Në këtë proces gjyqësor Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi akuzohen se nuk i kanë parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme në Prishtinë.

Që të gjithë këta janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.